Fitorja historike e Brighton në “Etihad” u shoqërua me polemika për një vendim arbitrar. Keith Hackett, ish-drejtues i organizatës angleze të arbitrave PGMOL, mendon se Manchester City duhej të kishte përfituar një penallti në humbjen 0-1.
Në qendër të debatit është një episod i minutës së 44-t, kur topi, pas goditjes me kokë të Diego Gomez, preku krahun e shtrirë të Luka Vuskovic brenda zonës. Lojtarët vendas kërkuan penallti, por arbitri Craig Pawson lejoi vazhdimin e lojës. Vendimi i tij u mbështet edhe nga John Brooks në VAR.
Sipas Hackett, pozicioni i krahut të mbrojtësit kroat e bënte të ndëshkueshëm kontaktin. Në vlerësimin e tij, 19-vjeçari kishte zgjeruar hapësirën që mbulonte me trup dhe kishte kohë të mjaftueshme për ta shmangur prekjen, ndaj rasti duhej trajtuar si lojë e qëllimshme me dorë.
Gjatë një analize të mëtejshme të hënën, ish-arbitri i FIFA-s këmbënguli se krahu i Vuskovic ishte plotësisht i shtrirë në pozicion horizontal. Ai theksoi se mbrojtësi nuk bëri përpjekje për ta tërhequr, ndonëse kishte mundësi të reagonte. Megjithatë, Hackett mbajti qëndrim tjetër për episodin me kapitenin e Brighton, Lewis Dunk, duke vlerësuar se në atë rast nuk kishte arsye për penallti.
Përtej diskutimeve mbi arbitrimin, takimi i javës së dhjetë të Premier League u vendos nga goli i Yasin Ayari në minutën e 11-të. Manchester City regjistroi 21 goditje, por nuk arriti të mposhtte Bart Verbruggen, i cili ishte në një ditë të mirë.
Skuadra e Fabian Hürzeler siguroi kështu fitoren e parë në historinë e klubit në transfertë ndaj Manchester City. Për ekipin e Enzo Maresca, kjo ishte humbja e dytë radhazi në kampionat.