Novak Djokovic e nis javën e Mastersit të Parisit me pikëpyetje për gjendjen fizike. Në një turne me rëndësi për synimin e tij për t’u kualifikuar në turneun përmbyllës të sezonit në Torino, tenisti serb është përballur me dhimbje në shpinë që në seancën e parë stërvitore.
Gjatë përgatitjeve, Djokovic është parë duke prekur pjesën e poshtme të shpinës. Për ta ndihmuar ka ndërhyrë fizioterapisti i tij prej shumë vitesh, Miljan Amanovic, i cili i ka bërë trajtim pikërisht në zonën ku ndiente shqetësimin.
Pamjet nga stërvitja dokumentojnë ndërhyrjen, por nuk sqarojnë natyrën apo shkallën e problemit. Për momentin nuk dihet nëse bëhet fjalë për një dhimbje kalimtare apo për një shqetësim që mund të ndikojë në paraqitjen e tij në kryeqytetin francez.
Djokovic ka nevojë të arrijë të paktën në gjysmëfinale të Mastersit të fundit të sezonit për objektivin e Torinos. Kundërshtari i tij i parë në Paris do të jetë Vacherot, në një përballje të planifikuar për të martën, jo përpara orës 14:00.
Problemet fizike e kanë shoqëruar tenistin serb edhe në këtë fazë të vonë të karrierës. Megjithatë, pa të dhëna më të sakta për dhimbjen aktuale, mbetet e paqartë se sa mund të peshojë ajo në nisjen e aventurës së tij në Paris.