Ndeshja ndaj Phoenix Suns përfundoi para kohe për Draymond Green. Basketbollisti i Golden State Warriors u përjashtua në fillimin e çerekut të tretë, pasi u përfshi në një incident me Khaman Maluach dhe Dillon Brooks.
Tensioni nisi pas një kontakti me Maluach, nga i cili Green përfundoi në parket. Më pas, ai e ndaloi me të dyja duart qendrën e re të Phoenix dhe e rrëzoi në dysheme.
Brooks ndërhyri menjëherë në mbrojtje të shokut të skuadrës dhe u përball nga afër me Green. Situata u acarua më tej kur lojtari i Warriors e kapi kundërshtarin për qafe.
Në atë moment reaguan edhe basketbollistët e tjerë të Phoenix. Megjithatë, përplasja nuk u përshkallëzua në një incident më të madh.
Gjyqtarët e ndëshkuan Green me dy gabime teknike, duke i dhënë fund para kohe paraqitjes së tij. Një gabim teknik mori edhe Brooks për përfshirjen në përplasje.