Doma Basketboll Përplasja në Turqi: Besiktas kërkon falje publike pas akuzave për transferimin e Lonnie Walker IV

Përplasja në Turqi: Besiktas kërkon falje publike pas akuzave për transferimin e Lonnie Walker IV

Transferimi i Lonnie Walker IV te Besiktas, që fillimisht u pa si një lëvizje me peshë në tregun e verës, është kthyer në qendër të një polemike të fortë në Turqi. Në vend që vëmendja të mbetej te përforcimi i skuadrës, debati u zhvendos te mënyra si u finalizua marrëveshja.

Shkëndijën e ndezën komentet e ish-basketbollistit turk Ibrahim Kutluay gjatë një paraqitjeje televizive. Ai ngriti dyshime për prapaskenat e transferimit, duke lënë të kuptohet se afrimi i lojtarit amerikan mund të ketë ardhur si rezultat i lidhjeve mes trajnerit Dusan Alimpijevic dhe agjentit të lojtarit, Misko Raznatovic.

Pas këtyre deklaratave, Besiktas publikoi menjëherë një reagim zyrtar me tone të ashpra. Klubi theksoi se Kutluay ka kaluar kufijtë e komentit sportiv dhe ka tentuar të krijojë perceptimin se transferimi është bërë mbi baza joprofesionale dhe subjektive, vetëm për shkak të kombësisë së përbashkët të trajnerit dhe menaxherit të lojtarit.

Në qëndrimin e tij, Besiktas e konsideroi të papranueshme që një komentator i transmetuesit zyrtar të EuroLeague në Turqi të hedhë hije mbi afrimin e një lojtari me këtë profil. Klubi kujtoi se Walker IV është zgjedhur në raundin e parë të NBA Draft dhe se ka zhvilluar afro 350 ndeshje në NBA gjatë shtatë sezoneve.

Klubi i Stambollit kërkoi publikisht që Kutluay t’i mbështesë fjalët e tij me informacione dhe prova konkrete. Në të kundërt, Besiktas i bëri thirrje të kërkojë falje para opinionit publik për insinuatat e bëra.

Madje, në reagimin zyrtar u paralajmërua edhe një hap i mëtejshëm: nëse nuk vjen një ndjesë publike, Besiktas do t’i drejtohet drejtuesve të EuroLeague për të kërkuar masa ndaj Kutluay. Mesazhi i klubit ishte i qartë: ose akuzat të provohen, ose tërhiqen.

Kështu, ardhja e Lonnie Walker IV, që duhej të ishte lajmi kryesor sportiv për Besiktas, është shndërruar në shkak për një përplasje të fortë mes klubit dhe një emri të njohur të basketbollit turk.

Pročitajte povezane članke
Load More In Basketboll

Proverite

Doncic merr tabelën taktike, Redick e mbron: Këtë presim nga lideri ynë

JJ Redick mbështeti Luka Doncic pas kritikave për sjelljen e tij gjatë një pushimi në fito…