Lista e mungesave te Juventus mund të zgjerohet përpara transfertës së të enjtes ndaj AZ Alkmaar në Europa League. Weston McKennie është në dyshim për udhëtimin në Holandë, duke i shtuar një tjetër shqetësim trajnerit Luciano Spalletti.
Mesfushori amerikan luajti vetëm një pjesë në fitoren 2-0 ndaj Napoli të dielën. Kontrollet e kryera një ditë më pas evidentuan lodhje muskulore, por ende nuk është vendosur nëse ai do të jetë në dispozicion për takimin evropian.
Përgjigjja pritet të vijë të mërkurën, më 4 nëntor, kur skuadra të rikthehet në stërvitje në Continassa. Spalletti u ka dhënë lojtarëve pushim të martën, ndërsa në seancën pasuese do të vlerësohet edhe gjendja e McKennie.
Në varësi të këtij vlerësimi, amerikani do të udhëtojë me ekipin ose do të qëndrojë në Torino për të pushuar përpara ndeshjes së kampionatit ndaj Fiorentina të dielën.
Një mungesë e tij do t’i kufizonte më tej alternativat e Spalletti. Jashtë konkurrimit janë tashmë Kenan Yildiz, Manuel Locatelli, Khéphren Thuram, Francisco Conceição dhe Nico Gonzalez.
Juventus shkon në përballjen me AZ Alkmaar me shtatë pikë të grumbulluara në tri ndeshjet e para të Europa League.