Bayern Munich u largua me tri pikë nga “Metropolitano”, duke mposhtur Atletico Madrid me rezultatin 2-0. Suksesi i firmosur nga Lennart Karl dhe Konrad Laimer ishte i dyti për bavarezët në këtë sezon të Champions League dhe i dha fund ecurisë prej dy barazimesh radhazi.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e 54-t, kur Karl shfrytëzoi një hezitim të Robin Le Normand. Pas një tentative të bllokuar të Tom Bischof, mbrojtësi i vendasve dukej se e kishte situatën nën kontroll, por sulmuesi i Bayern i rrëmbeu topin nga pas dhe e dërgoi në rrjetë. Më herët, Joshua Kimmich kishte vënë në provë Jan Oblak.
Goli erdhi pas një pjese të parë pa asnjë goditje në kuadrat nga të dyja skuadrat. Bayern mbajti mbi 70 për qind të zotërimit të topit në 20 minutat hyrëse, por nuk arriti ta kthente kontrollin në raste të pastra. Atletico kërcënoi me Julian Alvarez, ndërsa mundësinë më të mirë të vendasve e shpërdoroi Alexander Sorloth, i cili nuk shfrytëzoi një top të Marc Pubill në shtyllën e largët. Në krahun tjetër, Karl dhe Harry Kane ishin të pasaktë në përfundim.
Pas pësimit të golit, Atletico kërkoi më shumë energji me aktivizimin e Koke, Ademola Lookman dhe Lee Kang-in. Vendasit u gjallëruan dhe në minutën e 67-të Marcos Llorente e detyroi Manuel Neuer të kryente pritjen e tij të parë në këtë takim.
Megjithatë, goditja vendimtare erdhi nga Bayern. Në minutën e 74-t, Kane shërbeu saktë për Laimer, i cili goditi fort nga një kënd i vështirë. Topi preku traversën dhe përfundoi në rrjetë, duke e çuar epërsinë e miqve në 2-0.
Bavarezët patën mundësi ta thellonin rezultatin në fund. Një gol me kokë i Dayot Upamecano pas një goditjeje këndi në minutën e 82-të u anulua për faull, ndërsa Oblak ndali Nathaniel Brown. Bayern ruajti avantazhin dhe siguroi fitoren e parë në Champions League që nga suksesi hapës ndaj Bodo/Glimt. Të shtunën, skuadrën e pret transferta kundër Mainz.