Kryefaqja Futboll Kaos në futbollin e të rinjve në Brazil: 51 të përjashtuar pas sherrit masiv

Kaos në futbollin e të rinjve në Brazil: 51 të përjashtuar pas sherrit masiv

Një vend në finale mbeti në plan të dytë në përballjen mes Uberlândia dhe Mamoré, e cila përfundoi në kaos dhe me 51 pjesëmarrës të përjashtuar. Ndeshja gjysmëfinale e kampionatit brazilian të kategorisë së dytë për moshën nën 20 vjeç u ndërpre teksa mysafirët kryesonin 3-1.

Përleshja shpërtheu në minutën e 54-t, gjatë festimit të golit të tretë të Mamoré. Autori i tij, Davi Fernandes, provokoi pankinën vendase, ndërsa trajneri i portierëve të Uberlândia, Paulo Dias dos Santos, hyri në fushë dhe e shtyu fort. Ky episod ndezi një sherr masiv, në të cilin, sipas procesverbalit zyrtar, u përfshinë edhe gjashtë mbledhës topash që goditën futbollistët me grushte dhe shkelma.

Drejt ekipit mysafir u hodhën sende të ndryshme, përfshirë karrige dhe barela mjekësore. Për të rivendosur rendin ndërhyri policia ushtarake, por nuk pati arrestime. Tensionet kishin nisur më herët: takimi ishte ndalur për rreth 40 minuta pasi drejtues të klubit vendas hynë në fushë për të kundërshtuar një përjashtim.

Në total u përjashtuan 43 futbollistë dhe tetë pjesëtarë të stafeve teknike. Nga Uberlândia u ndëshkuan 22 lojtarë dhe katër anëtarë të stafit, ndërsa nga Mamoré 21 lojtarë dhe katër anëtarë të stafit. Arbitri Fernando Patrick Modesto nuk arriti t’ia tregonte kartonin e kuq secilit veçmas gjatë trazirave. Bilanci tejkaloi rekordin e vitit 2011, kur në një ndeshje të kategorive të ulëta në Argjentinë ishin përjashtuar 36 lojtarë.

Pas qetësimit të situatës u raportuan edhe dëme të mëdha materiale në dhomën e zhveshjes së mysafirëve. U shkatërruan 14 dyer dhe u dëmtuan lavamanë, dushe, instalime elektrike e dy vaska hidromasazhi.

Zëvendëspresidenti i Mamoré, Edson Reis, dënoi dhunën, por përgjegjësinë ia atribuoi organizimit të dobët dhe masave të pamjaftueshme të sigurisë. Klubi i ka kërkuar zyrtarisht federatës së futbollit përjashtimin e Uberlândia nga gara dhe pret një përgjigje deri të premten.

Nëse kërkesa nuk pranohet, Mamoré synon ta luajë ndeshjen e kthimit në Patos de Minas me 11 futbollistët e mbetur që nuk janë përjashtuar. Për atë takim, klubi planifikon të angazhojë siguri private dhe të kërkojë prani më të shtuar policore.

Më shumë artikuj të ngjashëm
Shfaq më shumë në Futboll

Shiko edhe

Nga ringritja te Schalke te interesi i Bayern, Karius rikthehet në skenë

Paraqitjet e Loris Karius me Schalke kanë tërhequr vëmendjen e Bayern, që po shqyrton alte…