Dëshira e Alexis Mac Allister është të vazhdojë karrierën te Liverpool, por e ardhmja e tij mbetet e paqartë. Mesfushori argjentinas, të cilit i mbetet edhe një vit e gjysmë nga kontrata aktuale, ka pranuar se ende nuk ka siguri për një marrëveshje të re.
Në një intervistë me gazetarin argjentinas Gaston Edul, 27-vjeçari tregoi se bisedat e zhvilluara sezonin e kaluar i kishin sjellë një përgjigje të vështirë për t’u pranuar. Drejtuesit i kishin bërë të ditur se rinovimi nuk ishte pjesë e planeve të klubit në atë moment.
“Sezonin e kaluar më thanë se ideja e klubit ishte të mos ma zgjaste kontratën, të paktën për momentin. Sigurisht, ishte diçka e dhimbshme dhe e pakëndshme. Ajo që dua më shumë është të vazhdoj këtu”, u shpreh Mac Allister.
Megjithatë, ai nuk e sheh atë qëndrim si një vendim përfundimtar. Argjentinasi përmendi ndryshimet në stolin e trajnerit dhe në postin e drejtorit sportiv, si edhe ardhjen e investitorëve të rinj, si zhvillime që mund të ndikojnë në mënyrën se si do të trajtohet çështja e kontratës së tij.
“Para se të bëhem lojtar i lirë, gjithçka mund të ndodhë. Tani jam në një situatë ku të gjitha mundësitë janë të hapura. Do të shohim çfarë sjell e ardhmja. Jam i lumtur këtu”, theksoi mesfushori.
Deklaratat vijnë në një kohë kur emri i tij lidhet me interesimin e Real Madrid. Pavarësisht këtyre zërave, përparësia e shprehur nga Mac Allister mbetet qëndrimi në Anfield, ndërsa çështja e rinovimit me Liverpool është ende e hapur.