Niko Kovac ka dërguar një mesazh të qartë para sfidës në fushën e Union Berlin: Borussia Dortmund nuk ka vend për neglizhencë nëse synon të largohet me fitore. Trajneri i verdhezinjve theksoi se ekipi i tij duhet të luajë në nivel maksimal ndaj një kundërshtari që, sipas tij, di të imponojë ritëm të fortë dhe duele të ashpra.
Dortmund mban aktualisht vendin e dytë në Bundesliga, menjëherë pas Freiburg për shkak të golavarazhit. Megjithatë, skuadra vjen pas dy goditjeve radhazi: fillimisht humbi fitoren ndaj Werder Bremen, pasi shpërdoroi epërsinë 2-0 deri në minutën e 87-të dhe u ndal në 2-2, ndërsa më pas u mposht 1-0 nga Bodo/Glimt në Champions League.
Pavarësisht këtyre luhatjeve, nisja e sezonit mbetet solide. Pas pesë javësh, Dortmund ka grumbulluar 13 pikë, një bilanc i njëjtë me atë të sezonit 2025/26, që ishte edhe sezoni i parë i plotë i Kovac në stol. Para ardhjes së tij, klubi vetëm tri herë në histori e kishte nisur kampionatin me të paktën 13 pikë në pesë ndeshjet e para, ndërsa asnjë trajner tjetër nuk e kishte përsëritur një arritje të tillë dy herë.
“Duam t’i marrim tri pikët atje, por e dimë sa e vështirë është ajo fushë. Sezonin e kaluar fituam 3-0, por ishte një betejë deri në fund. Pres të njëjtën gjë edhe tani. Në ndeshjen e fundit kundër Elversberg, ata treguan sërish intensitetin dhe agresivitetin që i ka karakterizuar në vitet e fundit. Do të jetë shumë e fortë dhe ne duhet të fitojmë duelet që do të na imponojnë. Kush mendon se mund të kalojë lehtë atje, do të ketë probleme serioze”, u shpreh Kovac.
Union Berlin ndodhet në vendin e 16-të pas pesë javësh, por në ndeshjen e fundit mori fitoren e parë të sezonit, 1-0 ndaj Elversberg. Në repartin ofensiv ka spikatur Luvin Burcu, i cili ka tentuar më shumë driblime se çdo lojtar tjetër i skuadrës, 14 gjithsej, me nëntë të suksesshme, edhe pse ka luajtur vetëm 215 nga 450 minutat e mundshme. Pikërisht ndaj Elversberg ai shënoi golin e fitores, pasi hyri në fushë dhe luajti vetëm 32 minuta, duke e mbyllur sfidën edhe me tri goditje drejt portës, aq sa Andras Schafer.
Te Dortmund, një nga emrat për t’u ndjekur mbetet Nico Schlotterbeck. Mbrojtësi gjerman ka realizuar gjashtë gola në Bundesliga që nga fillimi i sezonit të kaluar, më shumë se çdo qendërmbrojtës tjetër aktiv në kampionat gjatë kësaj periudhe. Ai gjeti rrugën e rrjetës edhe në përballjen e fundit mes Union dhe Dortmund në janar 2026.
Edhe statistikat i japin përparësi skuadrës mysafire. Dortmund i ka fituar dy ndeshjet e para jashtë fushe këtë sezon në Bundesliga dhe vetëm dy herë më parë në historinë e klubit ka pasur një seri më të gjatë në startin e kampionatit si udhëtues: tri fitore në 2000/01 dhe tetë në 2010/11. Nëse llogaritet edhe fundi i sezonit të kaluar, verdhezinjtë kanë tani tri fitore radhazi në transfertë në kampionat, për herë të parë nën drejtimin e Kovac. Nga ana tjetër, Union i ka humbur tri ndeshjet e fundit të ligës ndaj Dortmund me golaverazh të përgjithshëm 12-0, megjithëse të katër pikët e tij këtë sezon i ka marrë në shtëpi. Një tjetër armë e berlinezëve mbeten goditjet standarde, pasi katër nga pesë golat e tyre në Bundesliga kanë ardhur nga ndërprerjet.