Gully Powar është kampioni i ri britanik në peshën pendël. Boksieri 24-vjeçar siguroi brezin vakant pas një përballjeje me Zak Miller që u mbyll para kohe për arsye shëndetësore, duke ia lënë përcaktimin e fituesit pikëve të gjyqtarëve.
Ndeshja u ndërpre në raundin e dhjetë, kur mjeku rekomandoi që Miller të mos vazhdonte më dhe të merrte menjëherë ndihmë mjekësore. Meqë dëmtimet ishin shkaktuar nga një përplasje e pavullnetshme kokash, rezultati u vendos me vendim teknik unanim në favor të Powar.
Powar kishte qenë më aktiv gjatë pjesës më të madhe të duelit, por vëmendjen e mori përkeqësimi i gjendjes së kundërshtarit. Miller fillimisht pësoi një hematomë mbi njërin sy, e cila u zmadhua gradualisht. Në përfundim të raundit të shtatë, ënjtja ishte tashmë e theksuar, ndërsa mbi syrin tjetër kishte edhe një të çarë.
Më pas, në anën tjetër të kokës iu shfaq një tjetër hematomë e madhe. Kontrolli i parë mjekësor, në raundin e nëntë, nuk solli ndërprerjen e sfidës dhe Miller mori lejen për të vazhduar. Megjithatë, gjendja e tij u rëndua më tej.
Në raundin pasues, arbitri kërkoi sërish ndërhyrjen e mjekut dhe këtë herë përballja u mbyll. Powar u largua me titullin, ndërsa përpjekja e Miller për t’u shpallur kampion përfundoi me humbje dhe dëmtime shqetësuese. Dueli ishte pjesë e mbrëmjes së boksit ku emrat kryesorë ishin Joshua Buatsi dhe Willy Hutchinson.