Futbolli kaloi në plan të dytë në El Sadar, ku Osasuna dhe Athletic barazuan 1-1 në një takim të shënuar nga kujtimi i Jesús de Miguel. Sulmuesi i Tenerife, i cili ndërroi jetë në moshën 30-vjeçare, u nderua nga të dyja skuadrat përpara dhe gjatë ndeshjes.
Një nga momentet më prekëse erdhi në dhomën e zhveshjes së Osasuna. Ante Budimir, i veshur me një bluzë të bardhë me numrin nëntë dhe mbishkrimin “Përgjithmonë në kujtimet tona, Jesús de Miguel Alameda”, iu drejtua bashkëlojtarëve me një thirrje për të mos e marrë si të mirëqenë mundësinë për të luajtur futboll.
“Këtë bluzë sot nuk e veshim pa arsye. Mund t’i kishte ndodhur secilit prej nesh”, u shpreh sulmuesi kroat. Ai u kujtoi shokëve të skuadrës se duhet të jenë mirënjohës për çdo moment të kaluar në fushë. Pamjet e fjalimit u publikuan nga La Liga dhe më pas u përhapën në rrjetet sociale në Spanjë.
De Miguel ndërroi jetë të martën. Një ditë më parë, gjatë ndeshjes së kategorisë së dytë kundër Andorra, ai pësoi arrest kardiak pasi portieri Jesús Owono e goditi me gju në kraharor.
Para nisjes së takimit në El Sadar, lojtarët e të dyja skuadrave u mblodhën në rrethin e mesfushës me lule dhe bluza përkujtimore. Duartrokitjet i paraprinë minutës së heshtjes, ndërsa në minutën e nëntë arbitri Miguel Sesma Espinosa ndali lojën. Në ekranin e stadiumit u shfaqën gola dhe momente nga karriera e sulmuesit të ndjerë.
Sa i përket lojës, një gol i Rosier në minutën e 56-të u anulua për pozicion jashtë loje të Budimir. Sulmuesi kroat qëndroi në fushë deri në minutën e 79-të, kur u zëvendësua nga Kike Barja. Athletic kaloi në avantazh me Nico Williams në minutën e 84-t.
Osasuna u përgjigj në minutën e 89-të me Alejandro Catena, i cili vendosi rezultatin përfundimtar 1-1. Pas golit, mbrojtësi ngriti një fanellë të Osasuna me numrin nëntë dhe emrin e De Miguel, duke ia kushtuar atij golin e barazimit.