Dhjetori mund t’i sjellë Juventus rikthimin e Kenan Yildiz, i cili mungon në fushë që prej gushtit. Përballja në shtëpi me Monza, e planifikuar për 14 dhjetor në stadiumin Allianz, shihet si momenti më i mundshëm që numri dhjetë të luajë sërish.
Përpara rikthimit në ndeshje, futbollisti 21-vjeçar duhet të kalojë një proces gradual për të rifituar ritmin. Ai pritet të nisë së shpejti punën individuale në Continassa dhe më pas ngarkesa do të rritet hap pas hapi. Një aktivizim menjëherë pas pushimit të kombëtareve nuk është në planet e klubit.
Megjithatë, te Juventus mbetet e hapur mundësia që Yildiz të përfshihet në skuadër përpara takimit me Monza. Dy alternativat janë ndeshja në shtëpi kundër Udinese më 6 dhjetor dhe transferta ndaj Hapoel Be’er Sheva në Bukuresht, katër ditë më vonë, në Europa League.
Shpresën për t’u kthyer gjatë dhjetorit e shprehu edhe vetë lojtari të hënën në Bologna, ku mori çmimin “Bulgarelli numër 8”. “Ndihem mirë dhe shpresoj të luaj sërish së shpejti. Më mungon shumë Juventus. Më mungon ndjesia e të luajturit futboll”, u shpreh Yildiz.
Mungesa e tij ka qenë një goditje e rëndësishme për skuadrën, ndonëse Luciano Spalletti nuk e ka përdorur deri tani si justifikim. Rikthimi i Yildiz do t’i jepte trajnerit sërish në dispozicion një lojtar të rëndësishëm.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimit, Yildiz mori edhe një vlerësim të veçantë nga Fabio Capello. Ish-trajneri, i cili i dorëzoi trofeun, e cilësoi atë si “Lamine Yamal i Italisë”.