Plotësimi i normës olimpike nuk do të jetë domosdoshmërisht një biletë për në Los Angeles 2028. Sipas kushteve të reja të publikuara nga World Athletics, nëse një disiplinë ka më shumë atletë me normë sesa vende të disponueshme, përzgjedhja do të bëhet mbi bazën e rezultateve më të mira të arritura gjatë periudhës kualifikuese. Në këtë rast, nuk do të ndahen vende shtesë përmes renditjes botërore.
Ndryshimi tjetër thelbësor lidhet me peshën e dy rrugëve të kualifikimit. Nga ndarja e deritanishme në pjesë të barabarta, sistemi i ri parashikon që rreth 40 për qind e atletëve të sigurojnë pjesëmarrjen përmes normës dhe 60 për qind përmes renditjes botërore.
Afatet do të ndryshojnë sipas disiplinave. Për maratonën, rezultatet do të vlejnë nga 1 nëntori 2026 deri më 30 prill 2028. Në dhjetëgarësh, shtatëgarësh, ecjen sportive, stafeta dhe garën e 10.000 metrave, periudha do të shtrihet nga 19 dhjetori 2026 deri më 18 qershor 2028. Për disiplinat e tjera, kualifikimi do të hapet më 19 qershor 2027 dhe do të mbyllet më 18 qershor 2028.
Për përcaktimin e normave janë shqyrtuar rezultatet e kampionateve botërore të viteve 2022, 2023 dhe 2025, si dhe ato të Lojërave Olimpike Paris 2024. Në përllogaritje janë përfshirë edhe ecuria e rezultateve në secilën disiplinë dhe përmirësimet e pritshme.
Për atletët serbë, objektivat tashmë kanë shifra konkrete. Angelina Topic do të synojë 1,97 metra në kërcimin së larti, ndërsa Adriana Vilagos dhe Marija Vucenovic kanë përpara normën prej 63,80 metrash në hedhjen e shtizës. Në kërcimin së gjati, Luka Boskovic duhet të arrijë 8,30 metra, një largësi që nga atletët serbë deri tani e ka realizuar vetëm Nenad Stekic.
Një tjetër pjesëmarrje olimpike kërkojnë edhe Milica Gardasevic në kërcimin së gjati dhe Armin Sinancevic në shtytjen e gjyles. Për ta, ashtu si për atletët e tjerë, renditja botërore mbetet një rrugë alternative drejt Los Angeles.
Programi olimpik i atletikës do të përfshijë nga 23 disiplina për meshkuj dhe për femra, si dhe dy stafeta të përziera. Risia do të jetë stafeta e përzier 4×100 metra, e cila do të debutojë në Lojërat Olimpike, duke iu bashkuar stafetës së përzier 4×400 metra.