Doma Motorsport Liam Lawson prezanton kitarën e tij speciale para garës së Austin

Liam Lawson prezanton kitarën e tij speciale para garës së Austin

Liam Lawson do të ketë një paraqitje ndryshe nga zakonisht në prag të Çmimit të Madh të SHBA-ve në Austin. Piloti i Formula 1 do të marrë pjesë në aktivitetin muzikor dhe kulturor Garage Sessions të organizuar nga VCARB, ku do të prezantojë edhe kitarën e tij të veçantë Taylor Guitars LL30 GS Mini Special Edition.

Modeli është realizuar me një kombinim ngjyrash rozë dhe të bardhë në stil ombre, ndërsa në pjesën qendrore është vendosur edhe numri i tij i garimit, 30. Sipas njoftimit të aktivitetit, muzika ka qenë pjesë e rëndësishme e jetës së Lawson që nga fëmijëria.

Babai i tij, i cili ka luajtur në një bend, e kishte nxitur Liamin dhe vëllanë e tij të merrnin në dorë instrumentet që në moshën gjashtëvjeçare. Pikërisht kjo lidhje e hershme me muzikën do të reflektohet edhe në paraqitjen që ai do të bëjë në Austin.

Aktiviteti do të mbahet të enjten në Inn Cahoots, në East 6th Street në Austin. Programi nis në orën 15:00 me Esses Bazaar, ku janë paralajmëruar muzikë live, ushqim, modë western, zona glam, tatuazhe dhe mundësi për fotografi me show-car-in e skuadrës.

Pjesa kryesore, Garage Sessions, fillon në orën 19:00. Lawson do të performojë live së bashku me ish-shokët e tij të bendit të fëmijërisë, mes tyre vëllai i tij dhe dy miq të afërt. Në program janë përfshirë edhe Jonathan Kapechi, Scoot Teasley, Jess Farran, Alison Nichols dhe Drake Milligan.

Vetë Lawson u shpreh krenar që pikërisht në Garage Sessions nis bashkëpunimin me Taylor Guitars. Ai theksoi se kitara ka qenë pjesë e rëndësishme e jetës së tij që në moshë të vogël dhe se prezantimi i këtij modeli special, ndërsa performon me vëllanë dhe miqtë me të cilët është rritur duke luajtur muzikë, ka një domethënie të veçantë për të.

Sipas pilotit, muzika e ndihmon të çlirojë mendjen gjatë sezonit, ndërsa eventi në Austin do t’i japë mundësinë të takohet me tifozët në një mënyrë tjetër, jashtë pistës. Me këtë aktivitet, Racing Bulls bashkon botën e garave me muzikën dhe argëtimin, ndërsa Lawson shfaq një talent tjetër përpara fundjavës së garës në SHBA.

Pročitajte povezane članke
Load More In Motorsport

Proverite

Herta mbyll aventurën në Formula 2, mbetet pa një vend te Cadillac

Colton Herta nuk do të garojë në dy raundet e fundit të Formula 2, pasi kalimi nga IndyCar…