Kalimi i Oscar Garcias te Dinamo Zagreb ka dështuar, megjithëse trajneri spanjoll ishte i gatshëm të hiqte dorë nga të gjitha pagat e përfituara te Pogon Szczecin. Për të siguruar lejen e largimit, 53-vjeçari mësohet t’i ketë propozuar pronarit Alex Haditaghi kthimin e rreth 140 deri në 150 mijë eurove, por oferta nuk ka mjaftuar për të zhbllokuar marrëveshjen.
Dinamo po kërkonte një trajner pas largimit të Mario Kovacevicit në fillim të nëntorit dhe Garcia ishte ndër kandidatët kryesorë. Megjithatë, spanjolli ka kontratë me klubin polak deri në qershor të vitit 2029, pa klauzolë për zgjidhjen e saj kundrejt një pagese të përcaktuar. Kjo e bënte të domosdoshëm miratimin e Pogonit për çdo largim.
Pika vendimtare e mosmarrëveshjes ishte koha. Garcia dhe ndihmësi i tij kërkonin ta mbyllnin bashkëpunimin brenda 24 orëve, në mënyrë që trajneri të drejtonte Dinamon që në përballjen europiane me Sunderland. Haditaghi, nga ana tjetër, ishte i gatshëm të diskutonte vetëm për një largim në dhjetor, kur do të kishte mundësi të gjente pasuesin pa e lënë skuadrën të papërgatitur në mes të sezonit.
Paga vjetore e Garcias raportohet të jetë pak më shumë se 400 mijë euro. Ai e kishte marrë detyrën më 1 korrik dhe shuma që ofroi të kthente përkonte afërsisht me të ardhurat e grumbulluara deri atëherë. Në Zagreb mund të përfitonte deri në dyfishin e pagës aktuale, sipas raportimeve, por kushtet financiare të ofertës së Dinamos nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Përpjekja për ta afruar spanjollin solli edhe një përplasje publike mes klubeve. Pronari i Pogonit e akuzoi Dinamon për sjellje joprofesionale dhe për bisedime me një trajner nën kontratë. Ai deklaroi se e kishte njoftuar klubin kroat, përmes ekipit ligjor që merret me rregullat e FIFA-s, se Garcia nuk ishte i disponueshëm, ndërsa paralajmëroi shqyrtimin e hapave ligjorë.
Kjo situatë duket se ka cenuar marrëdhënien mes trajnerit dhe pronarit. Pogon synon t’i japë një tjetër mundësi Garcias, por një ndryshim në stol gjatë janarit nuk përjashtohet. Në 13 ndeshjet e para të kampionatit, skuadra ka regjistruar shtatë fitore, tri barazime dhe tri humbje, duke mbajtur vendin e katërt, tetë pikë pas kryesuesit Lech.
Ndërkohë, Dinamo gjeti zgjidhjen te Jerko Leko. I emëruar fillimisht si trajner i përkohshëm, ai fitoi 2-0 ndaj Sunderland në Europa League dhe 3-1 kundër Varazdin në kampionatin kroat. Pas këtyre rezultateve, drejtuesit i ofruan kontratë deri në fund të sezonit, me mundësi vazhdimi.