VakıfBank vijon garën për trofeun e Kupës së Turqisë, pasi kaloi Nilüfer me sete 3-1. Për kampionen e Evropës dhe të Turqisë, kualifikimi në gjysmëfinale u shoqërua edhe me rikthimin në fushë të Tijana Boskovic.
Volejbollistja serbe e përfundoi takimin me 19 pikë, 18 prej të cilave i realizoi në sulm. Ajo kishte munguar në përballjen e mëparshme ndaj të njëjtit kundërshtar në kampionat, të fituar nga VakıfBank me sete 3-0, për shkak të një shqetësimi në shpatull. Klubi kishte dalë me një njoftim për gjendjen e saj, por problemi rezultoi se nuk ishte serioz.
Në ndeshjen e së enjtes, VakıfBank fitoi setin e parë 25-20, ndërsa Nilüfer reagoi duke marrë të dytin 25-23. Baraspesha nuk zgjati: favoritja dominoi dy setet pasuese, të cilat i mbylli 25-13 dhe 25-18.
Marina Markova ishte pikëshënuesja më e mirë e skuadrës fituese me 23 pikë. Ndihmë të rëndësishme dha edhe Vanja Ivanovic, e ardhur në klub në fund të verës, që shtoi 13 pikë. Te Nilüfer, Nina Cajic arriti në kuotën e 10 pikëve.
Tri vendet e tjera në gjysmëfinale do të përcaktohen nga përballjet Zeren–Galatasaray, Fenerbahçe–Turkish Airlines dhe Eczacıbaşı–Aras Kargo.