Morgan Rogers ka dalë në mbrojtje të Cole Palmer, duke hedhur poshtë zërat se futbollisti i Chelsea nuk dëshiron të përfaqësojë Anglinë. Ai këmbëngul se mungesat e 24-vjeçarit lidhen me problemet fizike dhe jo me përkushtimin ndaj kombëtares.
“Është gënjeshtër”, u përgjigj Rogers ndaj këtyre pretendimeve. Sipas tij, Palmer kishte dëshirë të merrte ftesë dhe t’i bashkohej ekipit, por ende duhet të tregojë kujdes me trupin pas një periudhe të vështirë me dëmtime gjatë vitit të kaluar.
Rogers shpjegoi se miku i tij nuk është ndier plotësisht gati në fushë dhe se menaxhimi i gjendjes fizike mbetet i rëndësishëm. Mesazhi i tij ishte i qartë: kujdesi për të shmangur probleme të tjera nuk duhet interpretuar si refuzim për të veshur fanellën e Anglisë.
Thomas Tuchel nuk e përfshiu Palmer në grupin për ndeshjet e Nations League kundër Kroacisë dhe Spanjës. Anglezët mposhtën Kroacinë 2-1 të enjten në Wembley, me Rogers që shënoi golin e parë të takimit. Të dielën në mbrëmje i pret transferta ndaj Spanjës.
Çështja e pranisë së Palmer në kombëtare është në diskutim prej shtatorit, kur Tuchel vuri në dukje se lojtari po humbiste shumë mundësi për ta bindur, pas tërheqjes së tij për shkak dëmtimi. Që nga marrja e drejtimit nga trajneri gjerman në janar 2025, Palmer ka qenë i padisponueshëm pesë herë për arsye fizike. Në dy raste ishte grumbulluar fillimisht, përpara se të largohej.
Nën drejtimin e Tuchel, sulmuesi ka luajtur vetëm tri ndeshje dhe nuk ishte pjesë e skuadrës as në Kupën e Botës verën e kaluar. Ndërkohë, në nivel klubesh këtë sezon ka regjistruar pesë gola dhe tri asistime në 12 paraqitje në të gjitha garat.
Tuchel nuk e ka parë si problem mbështetjen publike të Rogers për Palmer. Pas fitores ndaj Kroacisë, ai e cilësoi të kuptueshme që një futbollist të mbrojë shokun dhe mikun e tij, duke theksuar se për të rëndësi kishte përkushtimi që Rogers tregoi në fushë.