ATP ka bërë publik një plan të ri financiar, sipas të cilit deri në vitin 2028 do të shpërndahen gjithsej 350 milionë dollarë për tenistët përmes shpërblimeve dhe bonuseve.
Njoftimi vjen në një moment kur si ATP, ashtu edhe WTA, janë përballur me kritika të forta për kalendarin e ngjeshur të garave, i cili praktikisht shtrihet në 11 muaj të vitit.
Sipas projektit të prezantuar, fondi i bonuseve për lojtarët do të rritet në 50 milionë dollarë. Kjo përbën një rritje të ndjeshme krahasuar me nivelin aktual prej 21.1 milionë dollarësh.
Përveç kësaj, 25 milionë dollarë të tjera do të ndahen për 250 tenistët e parë në renditje, ndërsa 30 milionë dollarë janë parashikuar për pensionet e më shumë se 300 ish-lojtarëve.
Në këtë paketë përfshihet edhe rritja e fondeve të çmimeve në turne, një lëvizje që synon të forcojë më tej mbështetjen financiare për tenistët në të gjitha nivelet kryesore të qarkut.
Presidenti i ATP, Andrea Gaudenzi, u shpreh optimist për drejtimin e sportit, duke theksuar se tenisi ndodhet në një pozicion shumë të mirë, me turne që po bëhen gjithnjë e më tërheqës dhe me të ardhura rekord për lojtarët. Sipas tij, ruajtja e këtij momenti kërkon zhvillim dhe përshtatje të vazhdueshme.