Bosnjë-Hercegovina pret shortin e play-off-it të Nations League me besimin se mund të përballojë edhe një duel rajonal. Trajneri Sergej Barbarez nuk e konsideron përballjen e mundshme me Kroacinë apo Serbinë një skenar që skuadra e tij duhet ta shmangë.
Sipas Barbarez, përfaqësuesja që drejton ka cilësitë për të konkurruar me të dyja skuadrat. Ai sqaroi se vlerësimi i tij lidhet vetëm me futbollin dhe me atë që ekipet mund të japin në fushë.
“Ndoshta janë tri, katër apo pesë përfaqësuese me të cilat nuk do të doja të luanim, por ato nuk bëjnë pjesë në atë grup. Për momentin nuk kemi problem të luajmë ndeshje të tilla. Po flas, natyrisht, nga ana sportive”, deklaroi Barbarez. Kur u pyet nëse lojtarët e tij mund të rivalizojnë vërtet Serbinë dhe veçanërisht Kroacinë, ai u përgjigj pa hezitim: “Sigurisht. Sigurisht.”
Bosnjë-Hercegovina e siguroi pjesëmarrjen në play-off falë vendit të dytë në grupin B4 dhe do të synojë ngjitjen në Ligën A. Përveç Kroacisë dhe Serbisë, kundërshtare të mundshme janë edhe Norvegjia e Uellsi.
Kroacia do të luftojë për të ruajtur vendin në elitë, pasi e mbylli grupin A3 në pozitën e tretë. Në ndeshjet e fundit humbi 2-1 ndaj Anglisë dhe mposhti Çekinë me të njëjtin rezultat.
Shorti do të hidhet të premten, më 20 nëntor, në orën 12:00 në Nyon. Ndeshjet e play-off-it janë parashikuar të zhvillohen në mars të vitit 2027.