Real Madrid hyn në javën me dy transferta në EuroLeague me një përforcim të rëndësishëm brenda skuadrës: Theo Maledon është sërish në dispozicion. Francezi e shoqëroi rikthimin me 18 pikë në fitoren në fushën e Baskonia, në javën e tetë të kampionatit spanjoll, duke realizuar 12 prej tyre vetëm në pesë minutat e para të çerekut të tretë.
Për mbrojtësin 25-vjeçar, ky ishte takimi i parë pas dëmtimit në gjurin e djathtë kundër Fenerbahçe, në raundin e nëntë të EuroLeague. Ai mungoi në dy ndeshjet pasuese evropiane të Realit, por arriti të kthehej në parket pa kaluar ende dy javë nga dëmtimi, megjithëse shqetësimi fillestar kishte qenë i madh.
Pedro Martinez shpjegoi se leja për të luajtur erdhi pasi Maledon përfundoi stërvitjen dhe konfirmoi se ndihej mirë. Pas seancës së së martës, trajneri theksoi se rasti i francezit ndryshon nga dëmtimet muskulore, ku rreziku i përsëritjes është më i lartë. Kjo ishte edhe arsyeja pse stafi mjekësor kishte më shumë optimizëm për rikthimin e tij.
Megjithatë, lista e mungesave mbetet e gjatë. Facundo Campazzo dhe Mikael Jantunen vazhdojnë të jenë jashtë skuadrës, ashtu si Gabriel Deck dhe Usman Garuba, të cilët mungojnë prej më shumë kohësh. Rikthimi i fundit i Eli Ndiaye i ka shtuar alternativat në rotacion, por për lojtarët e tjerë gjendja do të vlerësohet nga dita në ditë, pa përshpejtuar rikuperimin.
Martinez pranoi se mungesat e Campazzo dhe Jantunen ndihen, por vuri në plan të parë besimin te basketbollistët që ka në dispozicion. Për trajnerin, shqetësimi për të dëmtuarit nuk duhet të mbizotërojë mbi punën me grupin aktual, ndërsa përparësi mbetet kthimi i tyre në gjendjen e duhur fizike.
Reali e pret raundin e 12-të të EuroLeague me shtatë fitore dhe katër humbje, një fitore pas grupit kryesues të përbërë nga Valencia, Panathinaikos, Olympiacos dhe Barcelona. Të mërkurën do të përballet në transfertë me Besiktas në Turkcell Basketball Development Center, ndërsa të premten e pret dueli me Olympiacos në Sunel Arena.