Maccabi Tel Aviv duhet të përballojë një mungesë më të gjatë të Iffe Lundberg. Basketbollisti danez do t’i nënshtrohet operacionit në gjurin e djathtë dhe pritet të qëndrojë jashtë fushës edhe për rreth tre muaj, duke e shtyrë rikthimin për në shkurt ose mars.
Fillimisht, për 31-vjeçarin ishte parashikuar një periudhë rikuperimi prej gjashtë deri në tetë javësh. Megjithatë, dhimbjet e shfaqura gjatë seancave të fundit të rehabilitimit e kanë shtyrë stafin mjekësor të vendosë për ndërhyrje kirurgjikale. Lundberg mungon që nga fundi i tetorit, kur pësoi një çarje të pjesshme të tendinit të kuadricepsit gjatë stërvitjes.
Konfirmimi nga klubi erdhi pas humbjes ndaj Olympiacos pas kohës shtesë, të martën në mbrëmje, në javën e 12-të të EuroLeague. Edhe pse danezi është aktualisht i vetmi lojtar i dëmtuar në skuadër, mungesa e tij e zgjatur ia kufizon më tej trajnerit Oded Kattash alternativat në repartin e prapavijës.
Pesha e Lundberg në ekip ishte e dukshme përpara dëmtimit: ai e kishte nisur si titullar secilën prej gjashtë ndeshjeve të luajtura me Maccabi në EuroLeague. Në mesatarisht 23 minuta aktivizim, regjistronte 7,7 pikë, 3 asistime, 2,5 kërcime dhe 0,8 topa të vjedhur për takim. Në total, ai numëron 151 paraqitje në kompeticionin më të rëndësishëm evropian për klube.
Kjo pengesë vjen në një moment të vështirë për Maccabi, që në EuroLeague ka tri fitore dhe nëntë humbje, katër fitore larg zonës së fazës play-in. As kampionati izraelit nuk ka sjellë rezultatet e dëshiruara, me dy fitore dhe tri humbje deri tani.
Drejtuesit po shqyrtojnë tregun për të gjetur përforcime, por kufizimet e regjistrimit në garën vendase e ndërlikojnë zgjedhjen. Synimi mbetet ruajtja e mundësive për t’u përfshirë në fazën e mëtejshme të garës.