Një titull kampion për secilin, por një faturë shumë më e lartë për Napolin e Antonio Contes. Krahasimi i dy sezoneve të tij me dy sezonet e Luciano Spallettit nxjerr në pah rritjen e kostos së suksesit: çdo pikë e fituar në Serie A llogaritet se ka kushtuar 3,5 milionë euro me Conten, kundrejt 2,3 milionëve me paraardhësin e tij.
Dallimi është veçanërisht i madh në merkato. Për sezonet 2024/25 dhe 2025/26, Napoli shpenzoi gjithsej 367 milionë euro për afrime, përkatësisht 152 dhe 215 milionë. Shitjet sollën 223 milionë euro, duke e lënë bilancin neto të shpenzimeve në 144 milionë.
Në dy sezonet e Spallettit, investimi për përforcime ishte 109 milionë euro, ndërsa të ardhurat nga largimet arritën në 91 milionë. Me atë skuadër, Napoli fitoi titullin e parë kampion që nga epoka e Diego Armando Maradonës.
Rritja e faturës pasqyrohet edhe te pagat dhe amortizimi i transferimeve. Në sezonin 2024/25, këto dy zëra kushtuan përkatësisht 142 dhe 111 milionë euro, për një total prej 253 milionësh. Një sezon më pas, pagat arritën në 172 milionë dhe amortizimi në 128 milionë, duke e çuar shumën vjetore në 300 milionë euro.
Këto shpenzime përbënin 87 për qind të të ardhurave në sezonin e parë të Contes dhe 78 për qind në të dytin. Gjatë drejtimit të Spallettit, shuma vjetore e pagave dhe amortizimit nuk e kishte kaluar kufirin e 200 milionë eurove.
Një mbështetje e rëndësishme për financimin e afrimeve të reja erdhi nga shitja e dy protagonistëve të titullit me Spallettin: Khvicha Kvaratskhelia për 80 milionë euro dhe Victor Osimhen për 75 milionë. Të dy u larguan gjatë periudhës së Contes në stol. Gjeorgjiani punoi me të vetëm gjashtë muaj, ndërsa sulmuesi nigerian nuk luajti asnjëherë nën drejtimin e tij, por të ardhurat nga largimet e tyre ndihmuan ndjeshëm në mbulimin e investimeve në merkato.