Një treshe nga pranë mesit të fushës ndryshoi fatin e Olympiacos dhe i hapi rrugën një mbrëmjeje historike për Sasha Vezenkov. Basketbollisti bullgar barazoi shifrat në 82-82 në fundin e kohës së rregullt ndaj Maccabi Tel Aviv, duke e çuar takimin në shtesë, ku skuadra greke siguroi fitoren 97-95.
Në ndeshjen e zhvilluar në Qipro, Vezenkov qëndroi 39 minuta në parket dhe e mbylli me 37 pikë, nëntë kërcime, një asistim dhe një top të vjedhur. Ai shënoi gjashtë nga nëntë tentativat për dy pikë, gjashtë nga dhjetë gjuajtjet për tre dhe shtatë nga tetë gjuajtjet e lira, duke arritur indeksin e vlerësimit 41.
Kjo paraqitje i siguroi për herë të 19-të në karrierë çmimin e lojtarit më të vlefshëm të xhiros në EuroLeague. Me këtë shifër, Vezenkov u ngjit në të njëjtin nivel me Shane Larkin, me të cilin tashmë ndan rekordin.
Të gjitha këto vlerësime, 31-vjeçari i ka marrë me fanellën e Olympiacos. Larkin, nga ana tjetër, i fitoi 19 çmimet e tij si lojtar i Anadolu Efes, në periudhën nga marsi i vitit 2019 deri në prill të vitit 2025.
Për Vezenkov, kjo ishte paraqitja e dytë më e mirë në EuroLeague si për pikët e shënuara, ashtu edhe për indeksin e vlerësimit. Rekordi i tij personal mbetet sfida kundër Bayern Munich më 10 janar 2025, kur regjistroi 45 pikë dhe indeksin 50 në fitoren e thellë 112-69 të Olympiacos.