Pas 14 muajsh pa luajtur, Giovanni Leoni është rikthyer në stërvitjet me ekipin e parë të Liverpool. Pamjet e publikuara nga klubi e tregojnë mbrojtësin italian duke kryer nxehjen dhe ushtrime me pasime së bashku me shokët e skuadrës.
Bashkimi me grupin shënon përparim të rëndësishëm në rikuperimin e tij, por kthimi në ndeshje kërkon ende kohë. Duke marrë parasysh dëmtimin e rëndë dhe mungesën e gjatë, Leoni nuk pritet të jetë në dispozicion për sfidën e fundjavës ndaj Manchester United në Premier League.
Mbrojtësi u dëmtua pikërisht në debutimin me Liverpool, në shtator të vitit 2025. Gjatë fitores 2-1 ndaj Southampton në raundin e tretë të Kupës së Ligës, ai u largua me barelë në minutën e 80-të. Ky mbetet edhe paraqitja e tij e vetme me klubin.
Pas këputjes së ligamentit të kryqëzuar të përparmë, vlerësimet fillestare parashikonin rreth nëntë muaj mungesë. Megjithatë, dëmtimi i gjurit rezultoi më i ndërlikuar dhe rehabilitimi zgjati ndjeshëm më shumë.
Trajneri Andoni Iraola shpjegoi muajin e kaluar se, përveç ligamentit, ishin prekur edhe struktura të tjera përreth gjurit. Stafi mjekësor e ka ndjekur procesin me kujdes, duke synuar që lojtari të rikthehet me besim dhe i aftë për të përballuar vazhdimisht ritmin e ekipit. Për këtë arsye, bashkimi i planifikuar me grupin u shty me një muaj, deri në pushimin e nëntorit për kombëtaret.
Liverpool e transferoi Leonin nga Parma në verën e vitit 2025, kur ishte 18 vjeç, për 35 milionë euro plus bonuse. Tashmë ai ka rifilluar punën me skuadrën, ndërsa objektivi i radhës mbetet rikthimi në ndeshjet zyrtare.