ASVEL vazhdon serinë pozitive në kampionatin francez të basketbollit. Skuadra arriti suksesin e katërt radhazi, duke kaluar me shumë vështirësi Limoges me rezultatin 97:94 pas kohës shtesë.
Takimi u zhvillua në një mbrëmje të veçantë kushtuar legjendës së klubit vendas, Stephane Ostrowski, ndërsa Limoges ishte shumë pranë surprizës. Në fundin e kohës së rregullt, D.J. Horne realizoi një treshe 19 sekonda para sirenës dhe dërgoi sfidën në shtesë.
Në pesë minutat shtesë, Andrew Albicy i dha avantazhin Limoges me rezultatin 94:93, por ASVEL reagoi në momentin vendimtar. Patty Mills ishte i saktë nga vija e gjuajtjeve të lira dhe me dy pikë 11 sekonda nga fundi riktheu ekipin e tij në epërsi.
Më pas, Joel Bolomboy shtoi edhe dy gjuajtje të lira për të vulosur praktikisht ndeshjen, ndërsa tentativa e Nicolas Lang nga gjysmëfusha nuk përfundoi në kosh.
Lojtari më i dalluar te fituesit ishte Nate Sestina me 19 pikë dhe një saktësi shumë të lartë për tre pikë, 5 nga 6. Patty Mills shtoi 14 pikë, Jae Crowder e mbylli me 13 pikë e gjashtë kërcime, Hugo Besson realizoi 12 pikë, ndërsa TyTy Washington kontribuoi me 10 pikë dhe gjashtë asistime.
Te Limoges, më efikasi ishte D.J. Horne me 17 pikë. Mamadou Guisse dha një paraqitje të plotë me 13 pikë, nëntë kërcime dhe pesë asistime.
Pas ndeshjeve të raundit të katërt, ASVEL mbetet me bilanc perfekt 4-0. Në rezultatet e tjera të luajtura, Strasbourg mposhti Roanne 72:70, Chalon fitoi në fushën e Cholet 86:77, Nancy kaloi Nanterre 80:65, ndërsa Pau-Orthez triumfoi 102:89 ndaj Saint Quentin.