Një goditje në sy e detyroi Dzanan Musën të mbyllte para kohe paraqitjen ndaj Maccabi, në ndeshjen e javës së 13-të të EuroLeague. Dëmtimi i përfaqësuesit të Bosnjë-Hercegovinës la në hije fitoren 80:74 të Dubai në Limassol.
Pas takimit, Musa publikoi në rrjetin social X një fotografi të syrit të dëmtuar dhe iu drejtua EuroLeague me pyetjen: “Nuk ka faull?”. Në një tjetër postim, ai ndau pamjet e episodit dhe shprehu pakënaqësinë për vendimin e gjyqtarëve: “Rishikim i pamjeve. Falë Zotit që nuk u verbova. Duhet të bëni më mirë”.
Incidenti ndodhi në çerekun e tretë. Pas ndërhyrjes së stafit mjekësor, Musa qëndroi në stol me një garzë mbi syrin e lënduar dhe nuk u rikthye në parket. Ende nuk ka konfirmim zyrtar për seriozitetin e dëmtimit apo për një mungesë të mundshme.
Basketbollisti e përfundoi takimin me dy pikë, një kërcim dhe një asistim në 13 minuta lojë. Pa të në pjesën e mbetur të sfidës, shokët e skuadrës arritën të përmbysnin rezultatin dhe të siguronin suksesin e nëntë në këtë edicion.
Maccabi e nisi më mirë përballjen në Qipro, duke mbyllur çerekun e parë në avantazh 26:14 dhe pjesën e parë me epërsi 47:40. Dubai e rikuperoi diferencën dhe e përfundoi përmbysjen në periudhën e fundit, duke e çuar bilancin në nëntë fitore dhe katër humbje.