Një penallti e realizuar nga Dan N’Lundulu i dha Petrolulit fitoren 1-0 në transfertën ndaj Dinamo Bucuresti, në një ndeshje të kampionatit rumun të shënuar nga një incident me monitorin e VAR-it.
Pranë fundit të pjesës së parë, arbitri po shqyrtonte një episod në zonën e vendasve për të vendosur nëse duhej akorduar penallti për miqtë. Në atë moment, tifozët e Dinamos tërhoqën kabllon e monitorit, duke bërë që pajisja të binte në pistën e atletikës dhe të thyhej.
Loja mbeti e ndërprerë për 15 minuta, derisa pajisjet u vunë sërish në funksion dhe u përfundua shqyrtimi i pamjeve. Ndërhyrja e tifozëve nuk e pengoi vendimin përfundimtar: arbitri akordoi penallti për Petrolulin.
N’Lundulu mori përsipër ekzekutimin dhe shënoi në minutën e 12-të shtesë të pjesës së parë. Goli i tij mbeti i vetmi i takimit, duke u siguruar miqve tri pikët.
Për Dinamon, humbja përbën një pengesë në garën për kreun e renditjes. Skuadra e Bukureshtit ndodhet në vendin e dytë, me po aq pikë sa kryesuesja Craiova, ndërsa Petrolul u ngjit në pozitën e katërt.