Napoli gjeti rrugën drejt fitores ndaj Torinos falë Scott McTominay, autorit të golit të vetëm në stadiumin “Diego Armando Maradona”. Mesfushori skocez vendosi takimin në minutën e 73-të, duke thyer rezistencën e miqve dhe të portierit Lucas Perri, protagonist me disa pritje vendimtare.
Aksioni që solli golin nisi nga ndërhyrja e Noa Lang, i cili ndali përpjekjen e Zakaria Aboukhlal për të nisur një kundërsulm. Holandezi shërbeu menjëherë për McTominay dhe ky i fundit, nga kufiri i zonës, e dërgoi topin në këndin e poshtëm të largët.
Megjithatë, Napoli mori edhe një tjetër lajm shqetësues nga infermieria. Antonio Vergara pësoi një dëmtim muskulor dhe doli nga fusha në lot në minutën e 11-të. Vendin e tij e zuri Kevin De Bruyne, të cilit fillimisht i ishte planifikuar pushim përpara transfertës ndaj Manchester City në Champions League.
Problemi i Vergara iu shtua mungesave të shumta të vendasve. Alex Meret është jashtë fushave për disa muaj, ndërsa në dispozicion nuk ishin as Benoit Badiashile, Alisson Santos, Stanislav Lobotka, Giovanni Di Lorenzo dhe Alessandro Buongiorno. Napoli luajti me skemën 3-5-2 dhe me Vanja Milinkovic-Savic në portë përballë ish-skuadrës së tij.
Para pushimit, Perri u mohoi golin Matteo Politano, McTominay dhe Rasmus Hojlund, ndërsa Saul Coco bllokoi një goditje me kokë të De Bruyne. Torino pati rastin e vet të rrezikshëm me Rolando Mandragora, i cili goditi traversën nga distanca. Pas pushimit, Aboukhlal provoi pranë shtyllës së largët, kurse Milinkovic-Savic ndërhyri ndaj një goditjeje dënimi të Mandragora.
Perri vazhdoi të ndalte tentativat e Lang, Politano dhe Hojlund, përpara se të mposhtej nga McTominay. Në kërkim të barazimit, Torino u afrua me Cesare Casadei, goditja e të cilit u bllokua nga Andre-Frank Zambo Anguissa, dhe me Duvan Zapata, që nuk gjeti kuadratin me kokë. Në aksionin e fundit, Lang pati mundësinë të dyfishonte në kundërsulm, por u ndal sërish nga portieri mik.
Edhe Torino u përball me probleme fizike gjatë ndeshjes. Rafik Belghali u zëvendësua pas një shqetësimi në gju, ndërsa Ardian Ismajli u detyrua të linte fushën për shkak të një dëmtimi muskulor.