Doma Futboll Shuhet Dudu Georgescu, rekordmeni rumun që fitoi dy herë Këpucën e Artë

Shuhet Dudu Georgescu, rekordmeni rumun që fitoi dy herë Këpucën e Artë

Dudu Georgescu, një nga emrat më të shquar të futbollit rumun, është ndarë nga jeta në vitin e 76-të të jetës. Ish-sulmuesi, fitues i dy Këpucëve të Arta evropiane, u gjet i pajetë në apartamentin ku banonte me qira në Toronto.

Lajmin e konfirmoi miku i tij i afërt, këngëtari Gheorghe Turda, i cili tha se ishte njoftuar nga pronari i banesës. Edhe Federata Rumune e Futbollit i dha lamtumirën ish-përfaqësuesit, duke kujtuar kontributin e tij në futbollin e vendit.

Georgescu mbetet në krye të renditjes historike të golashënuesve të elitës rumune, me 252 gola në 371 ndeshje. Pas tij renditen Ionel Danciulescu me 214 gola dhe Rodion Camataru me 198, shifra që dëshmojnë peshën e rekordit të tij.

Kulmin e karrierës e arriti me Dinamo Bucuresti, ku u transferua në vitin 1973, pasi kishte luajtur për Progresul dhe CSM Resita. Gjatë dekadës së kaluar te Dinamo fitoi katër tituj kampionë dhe një Kupë të Rumanisë, duke ndarë fushën me emra si Cornel Dinu, Mircea Lucescu dhe Florea Dumitrache.

Nga viti 1975 deri më 1978, Georgescu u shpall katër herë radhazi golashënuesi më i mirë i kampionatit. Në vitin 1975, me 33 gola, fitoi Këpucën e Artë evropiane, ndërsa dy vjet më vonë e mori sërish këtë vlerësim pas një sezoni me 47 gola.

Shifrat e tij mbresëlënëse shtrihen edhe përtej kampionatit vendas: shënoi 21 gola në 40 paraqitje me Rumaninë dhe 17 gola në 23 ndeshje evropiane me Dinamo Bucuresti. Golin e fundit në kampionat e realizoi më 23 nëntor 1986, pikërisht kundër klubit me të cilin kishte përjetuar sukseset më të mëdha.

Pas tërheqjes nga futbolli, Georgescu u përball edhe me vështirësi të mëdha personale. Në vitin 2014 u dëbua nga apartamenti në Bukuresht ku jetonte prej vitit 1976, banesë që e kishte marrë pas fitimit të Këpucës së parë të Artë evropiane.

Pročitajte povezane članke
Load More In Futboll

Proverite

Liverpool interesohet për Mohya, Gladbach nuk pranon largimin në janar

Wael Mohya ka tërhequr vëmendjen e Liverpool, por Borussia Mönchengladbach synon ta mbajë …