Barcelona e mbylli merkaton verore pa afruar një qendërmbrojtës, megjithëse shqyrtoi disa kandidatë për repartin defensiv. Pengesat ndryshuan nga njëri rast te tjetri: dëshira e lojtarit, vlerësimi teknik i Hansi Flick dhe kërkesat financiare të klubeve bënë që asnjë operacion të mos përfundonte me marrëveshje.
Josko Gvardiol ishte emri për të cilin trajneri gjerman dhe drejtuesit sportivë kishin të njëjtin mendim. Mbrojtësi kroat shihej si kandidati më i kompletuar, falë këmbës së majtë dhe aftësisë për të luajtur si në qendër, ashtu edhe në krahun e majtë të mbrojtjes.
Megjithatë, 24-vjeçari nuk e konsideronte largimin nga Manchester City si një mundësi të dëshiruar. Barcelona kishte shqyrtuar mundësinë e transferimit gjatë verës, por synimi i tij për të vazhduar në Angli e mbylli këtë pistë. Në fund të korrikut, Gvardiol firmosi kontratën e re me Cityn deri në verën e vitit 2031.
Ndryshe paraqitej situata me Alessandro Bastonin. Qendërmbrojtësi 27-vjeçar i Interit thuhet se kishte arritur një marrëveshje me Barcelonën, por transferimi nuk mori miratimin e Flick. Sipas vlerësimit të trajnerit, italianit i mungonte shpejtësia e nevojshme për kërkesat e tij taktike. Gjermani kishte më shumë besim te Gerard Martin, të cilin e kishte zhvendosur nga mbrojtës i majtë në qendër të prapavijës.
Në listën e alternativave u përfshinë edhe Micky van de Ven, Ibrahima Konate, Nico Schlotterbeck, Marcos Senesi, Cristian Romero dhe Aymeric Laporte. Megjithatë, asnjëri nuk i përmbushi të gjitha kriteret që kishte vendosur klubi katalanas.
Përpjekja e fundit ishte për të riun holandez Ruud Nijstad të Twentes. Këtë herë, pengesa ishte kostoja: Barcelona i konsideroi tepër të larta kërkesat e klubit holandez dhe merkatoja përfundoi pa një emër të ri në zemër të mbrojtjes.