Doma Motorsport Verstappen fiton në Las Vegas dhe ndez sërish përplasjen me Russell

Verstappen fiton në Las Vegas dhe ndez sërish përplasjen me Russell

Fitorja në Las Vegas nuk solli armëpushim mes Max Verstappen dhe George Russell. Pas suksesit të katërt të sezonit, piloti i Red Bull e zhvendosi vëmendjen te rivali britanik, duke pranuar hapur se ishte kënaqur kur kishte parë problemet e tij në pistë.

Russell ishte përfshirë në luftën për vendin e parë, por gara e tij mori kthesë në xhiron e 48-të. Gjatë përpjekjes për të kaluar shokun e skuadrës, Kimi Antonelli, britaniku bllokoi rrotat dhe goditi barrierën mbrojtëse. Ai arriti të vazhdonte, por përfundoi vetëm i nënti, larg zonës së podiumit.

Në konferencën për shtyp, Verstappen nuk shfaqi keqardhje. “Flet shumë jashtë pistës. Sinqerisht, kjo nuk më shqetëson aspak, sepse është aq poshtë nivelit tim, sa nuk shoh arsye të debatoj me të”, deklaroi holandezi. Duke e lidhur gabimin e Russell me karmën, ai shtoi: “Kur pashë në pasqyrë çfarë po ndodhte, mendova: ‘Fantastike, dita po bëhet gjithnjë e më e bukur!’ Kur kalova i pari vijën e finishit, gjithçka u plotësua”.

Tensionet e fundjavës kishin nisur që në provat e treta të lira, teksa të dy përgatiteshin për një xhiro të shpejtë. Verstappen kaloi përpara Russell, britaniku tentoi t’ia kthente manovrën dhe mes tyre pati kontakt. Më pas, piloti i Red Bull i tregoi gishtin e mesit rivalit, ndërsa komisarët i dhanë një paralajmërim zyrtar për drejtim të paparashikueshëm.

Russell reagoi pas atij episodi, duke këmbëngulur se nuk do ta pranonte një sjellje të tillë. “Ua bën shumë pilotëve javë pas jave dhe të gjithë e pranojnë. Unë nuk do të lejoj që dikush të sillet kështu me mua, sikur të jetë më i madh dhe më i mirë se të gjithë. Dikush duhet t’i dalë përballë”, tha piloti i Mercedes për Sky Sport Italia.

Përplasja mes tyre ka rrënjë më të hershme. Kontakti në sprintin e Azerbajxhanit më 2023 u pasua nga një debat i ashpër, ndërsa marrëdhënia u përkeqësua në Katar, në fund të vitit 2024, kur Verstappen humbi vendin e parë në nisje për pengimin e Russell në kualifikuese. Holandezi e akuzoi britanikun se kishte këmbëngulur para komisarëve për ndëshkimin e tij dhe deklaroi se nuk kishte më respekt për të. Russell, nga ana tjetër, pretendoi se rivali e kishte kërcënuar se do ta përplaste në mur. Vitin e kaluar, një tjetër kontakt në Spanjë solli një penalizim prej dhjetë sekondash për Verstappen, i cili u shpall fajtor.

Në Las Vegas, pas fituesit Verstappen u renditën Lando Norris dhe Oscar Piastri. Holandezi tashmë mban vendin e dytë në klasifikimin e përgjithshëm me 304 pikë, ndërsa Russell është i katërti me 264. Kimi Antonelli e ka siguruar titullin botëror dhe sezonit i mbeten për t’u zhvilluar garat në Katar dhe Abu Dhabi.

Pročitajte povezane članke
Load More In Motorsport

Proverite

Herta mbyll aventurën në Formula 2, mbetet pa një vend te Cadillac

Colton Herta nuk do të garojë në dy raundet e fundit të Formula 2, pasi kalimi nga IndyCar…