Denver Nuggets mposhti Chicago Bulls me rezultatin 151-145 pas kohës shtesë, në një mbrëmje që solli edhe një rekord historik për dyshen Nikola Jokic–Jamal Murray.
Murray udhëhoqi sulmin me 45 pikë, ndërsa Jokic e mbylli takimin me një tripëll-dabëll: 37 pikë, 18 kërcime dhe 11 asistime. Ishte hera e tetë që dy basketbollistët e Denverit bashkonin në të njëjtën ndeshje të paktën 40 pikë të kanadezit me një tripëll-dabëll të qendrës serbe.
Asnjë dyshe tjetër në historinë e NBA-së nuk e ka arritur kaq shpesh këtë kombinim statistikor. Liga e konfirmoi rekordin përmes llogarisë së saj zyrtare, duke veçuar paraqitjen e dy protagonistëve të fitores së Nuggets.
Deri para kësaj përballjeje, Jokic dhe Murray ndanin kreun me dy dyshe ku bënte pjesë Wilt Chamberlain. Legjenda e basketbollit kishte regjistruar nga shtatë ndeshje të tilla me Guy Rodgers dhe me Tom Gola.
Në një duel me 296 pikë gjithsej, Denveri siguroi kështu jo vetëm fitoren, por pa edhe dy lojtarët e tij të merrnin të vetëm vendin e parë në këtë renditje historike.