Roberto De Zerbi nuk e përjashton një largim të hershëm nga profesioni i trajnerit. Tetë muaj pas mbërritjes te Tottenham, italiani ka folur hapur për sakrificat që kërkon futbolli dhe dëshirën për të mos ia kushtuar atij të gjithë jetën profesionale.
Në një intervistë për Canal+, trajneri 47-vjeçar shpjegoi se angazhimi i përditshëm në këtë nivel lë pak hapësirë për gjithçka tjetër. Megjithatë, deklaratat e tij nuk përbëjnë një njoftim për largim të afërt nga klubi londinez, me të cilin ka kontratë deri në qershor 2031.
“Nuk besoj se do të qëndroj edhe shumë gjatë në futboll. E gjithë jeta të sillet rreth tij, por jeta nuk është vetëm futboll. Gjithsesi, ai moment ende nuk ka ardhur”, tha De Zerbi. Ai shtoi se drejtimi i një skuadre në këtë nivel është në vetvete realizimi i një ëndrre.
Për italianin, suksesi ka të bëjë edhe me gjurmën që lë te të tjerët, jo thjesht me trofetë. “Ëndrrat nuk i mas me titujt e fituar, por më shumë me ndikimin që ke te njerëzit. Dua të mbetem vetvetja dhe të mund t’i shoh gjithmonë njerëzit në sy, edhe kur gaboj. Dhe bëj shumë gabime”, u shpreh ai.
Këto reflektime vijnë në një periudhë përmirësimi për Tottenham. Pasi mori drejtimin në mars 2026 dhe ndihmoi skuadrën të largohej nga zona e rrezikut në fundin e sezonit të kaluar, De Zerbi përjetoi një nisje të vështirë të edicionit 2026/27. Pavarësisht investimeve të mëdha gjatë verës, londinezët nuk fituan asnjë nga gjashtë ndeshjet e para në Premier League dhe shënuan vetëm tre gola.
Tashmë Tottenham ka regjistruar katër fitore në pesë takimet e fundit të kampionatit, përfshirë suksesin në transfertë ndaj Chelsea në Stamford Bridge. Të shtunën, fitorja 2-0 në shtëpi kundër Ipswich, me një kontribut të rëndësishëm nga mesfushori 18-vjeçar Luca Williams-Barnett, e ngjiti skuadrën në vendin e nëntë.