Marko Jaric, dikur emër i njohur i basketbollit serb dhe me një karrierë të gjatë në NBA, prej vitesh është larguar nga sporti aktiv dhe ka ndërtuar një profil krejt tjetër profesional. Pas mbylljes së karrierës si lojtar, ai vendosi të mos mbetej në basketboll në asnjë rol të mëtejshëm.
Ish-lojtari zgjodhi të orientohej drejt biznesit dhe sot mban postin e nënkryetarit për zhvillimin e biznesit në kompaninë amerikane WestPac Wealth Partners. Ky angazhim erdhi pas një tërheqjeje graduale nga vëmendja publike, që zgjati për disa vite.
Gjatë nëntë sezoneve në NBA, Jaric ka përfituar rreth 40 milionë dollarë. Sipas të dhënave të publikuara, ai e ka rritur më tej kapitalin e tij edhe përmes investimeve, si dhe rolit të ri në fushën e biznesit.
Karriera profesionale e basketbollistit përfundoi 15 vjet më parë me fanellën e Montepaschi Siena në Itali. Pas atij momenti, ai vendosi të mos rikthehej në basketboll as si trajner, as si drejtues dhe as si agjent, duke kërkuar një fushë të re ku mund të ndërtonte një etapë tjetër të jetës profesionale.
Vetë Jaric ka treguar se sot bën një jetë shumë më të qetë. Ai zgjohet herët, përgatit mëngjesin për vajzat e tij dhe e shijon gatimin, ndërsa me humor thotë se në këtë drejtim është bërë “edhe më keq se italianët”.