Lionel Messi vazhdon të bëjë diferencën edhe në moshën 39-vjeçare. Ylli argjentinas ishte protagonisti absolut i fitores 3-1 të Inter Miami ndaj Atlanta United, në një ndeshje ku firmosi dy gola dhe një asist.
Me këtë paraqitje, Messi i çoi shifrat e tij sezonale në 23 gola dhe 15 asiste, duke hyrë njëkohësisht në historinë e MLS. Ai u bë futbollisti i parë në këtë kampionat që arrin të regjistrojë të paktën 15 asiste në tri sezone radhazi.
Inter Miami kaloi në avantazh në minutën e 45-të, në një aksion ku Messi kontribuoi në golin e Bertelame. Në pjesën e dytë, argjentinasi mori plotësisht në dorë ritmin e ndeshjes dhe tregoi edhe një herë klasin e tij.
Në minutën e 56-të, ai u gjend mjaft mirë brenda zonës, shmangu disa kundërshtarë dhe finalizoi saktë me të majtën. Vetëm katër minuta më pas, Messi goditi sërish për të vulosur një mbrëmje të jashtëzakonshme me dopietë personale.
Dy golat e rinj e forcuan edhe më shumë në krye të renditjes së golashënuesve në MLS, ndërsa mbetet një kandidat serioz për të fituar për herë të tretë radhazi çmimin si lojtari më i vlefshëm i ligës.
Pas ndeshjes, trajneri Christian Gonzalez nuk e fshehu admirimin për kapitenin e tij. “Nuk mund ta besoj çfarë bën ky njeri në moshën 39-vjeçare. Ajo që më gëzon më shumë është fakti që ai është i lumtur. Kur është i lumtur, luan në këtë mënyrë dhe e shijon futbollin”, tha Gonzalez.
Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për Inter Miami, që në këtë seri ka një golavarazh 9:1. Me tre pikët e radhës, skuadra forcoi vendin e dytë në Konferencën Lindore me 55 pikë. Kampionët në fuqi e kanë siguruar tashmë fazën play-off dhe synojnë të bëhen klubi i parë pas Los Angeles Galaxy në vitet 2011 dhe 2012 që fiton dy tituj radhazi në MLS Cup.