Daniel Dubois dha një shfaqje bindëse në revanshin ndaj Fabio Wardley në O2 Arena të Londrës, duke fituar me nokaut teknik në raundin e dytë dhe duke realizuar mbrojtjen e parë të titullit WBO në kategorinë e peshave të rënda.
Ndryshe nga përballja e parë e muajit maj, e cila ishte vlerësuar si një nga kandidatët për ndeshjen e vitit, këtë herë sfida mori tjetër rrjedhë që në sekondat e para. Dubois e vendosi ritmin menjëherë dhe pas vetëm 17 sekondash e hodhi Wardley në tapet me një goditje të fortë me të djathtën, duke i shkaktuar nokdaunin e parë në karrierën profesioniste.
Wardley u ngrit, por u pa qartë se ishte i tronditur. Dubois vazhdoi ta shtypte me seri goditjesh dhe para fundit të raundit të parë e goditi sërish rëndë me të djathtën. Sfidanti arriti ta mbyllë disi atë pjesë të meçit, por nuk pati përgjigje në vazhdim.
Në raundin e dytë, kampioni kontrolloi plotësisht ritmin dhe punoi me efikasitet nga distanca e afërt. Kur u bë e qartë se Wardley kishte gjithnjë e më shumë vështirësi në mbrojtje, trajneri i tij Ben Davison hodhi peshqirin në ring dhe dueli u ndërpre.
Pas triumfit, Dubois nuk la vend për dilema për objektivat e ardhshëm. “Dua të luftoj me atë që është i radhës. Tani jam kampion dhe dua ndeshje të mëdha. Në këtë fazë të karrierës dua para të mëdha dhe duele të mëdha”, deklaroi ai pas meçit.
Emra si Agit Kabayel dhe Filip Hrgovic përmenden si opsione të mundshme për periudhën në vijim, ndërsa mundësia për një duel unifikues gjatë vitit 2027 mbetet e hapur. Peshë shtesë këtyre aludimeve i dha edhe përballja sy më sy mes Hrgovic dhe Dubois në ring pas përfundimit të meçit kryesor.
Rezultatet e tjera të mbrëmjes
Në pjesën tjetër të programit, Michael Gomez Jr dhe Louis O’Doherty barazuan me vendim shumice të gjyqtarëve. Adam Olaniyan fitoi ndaj Dan Garber me nokaut teknik në raundin e dytë, ndërsa Bakhodir Jalolov mposhti Solomon Dacres me vendim unanim. Fitore regjistroi edhe Nelson Birchall, që ndali Levi Giles me nokaut teknik në raundin e shtatë. Në duelet e tjera, Tony Curtis nokautoi Kerim Agius në raundin e katërt, Zain Ahmed mundi Casey Bradnam me nokaut teknik në të parin, Layton Birchall fitoi me pikë ndaj Luis Ware Carrillo, Manny Safari mposhti Jake Pollard me nokaut në të pestin, Fawaz Aborode ishte më i mirë se Rashid Omar me nokaut në të katërtin, Aaron Noriega ndali Leonardo Baez po në raundin e katërt, ndërsa Isaiah Hamilton-Allen fitoi me pikë ndaj Jensen Irving me rezultatin 40:36.