Gjermania ka fituar titullin në Kampionatin Botëror për futbollistë mbi 80 vjeç, një turne i veçantë që u organizua për herë të parë në Cleveland, Australi.
Në këtë garë sa të pazakontë aq edhe frymëzuese morën pjesë pesë përfaqësuese, secila e përbërë nga tetë lojtarë. Ndeshjet u zhvilluan në fushë të vogël dhe me format prej dy pjesësh nga 30 minuta secila.
Skuadra gjermane siguroi kualifikimin në finale pas fitores 3:1 ndaj Japonisë. Më pas, ajo vulosi kurorën botërore pasi përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara triumfoi në ndeshjen e saj, rezultat që i dha Gjermanisë vendin e parë.
Një nga futbollistët gjermanë, Michael Rech, theksoi se ky sukses ka rëndësi që shkon përtej vetë rezultatit sportiv. Sipas tij, mesazhi kryesor është që sa më shumë njerëz të moshuar të përfshihen në aktivitete sportive.
Ai përshkroi edhe atmosferën festive pas triumfit, duke thënë se të gjithë ishin me fytyra të skuqura dhe të djegur nga dielli, por se kjo nuk e zbehu aspak gëzimin për titullin e fituar.
Veteranët gjermanë kanë bërë të ditur gjithashtu se në periudhën në vijim synojnë të zhvillojnë disa ndeshje miqësore ndërkombëtare, si pjesë e përgatitjeve për Kampionatin Europian të vitit të ardhshëm.