Sampdoria ka ndërmarrë lëvizjen e parë të madhe pas fillimit tejet të dobët të sezonit në Serie B, duke shkarkuar trajnerin Bernardo Coradi. Vendimi erdhi menjëherë pas humbjes 2-1 në shtëpi ndaj Arezzo, një tjetër goditje për skuadrën nga Genova.
Bilanci i deritanishëm i ekipit është alarmant. Sampdoria ka pësuar pesë humbje në shtatë javët e para dhe ndodhet në fund të renditjes me vetëm katër pikë, aq sa ka edhe Catanzaro. Forma e dobët ka shtuar presionin mbi klubin dhe ka rritur pakënaqësinë në tribunat e “Ferraris”.
Pas disfatës së fundit, reagimi i tifozëve ishte i ashpër, me ekipin që u vërshëllye në stadium. Klima e tensionuar duket se përshpejtoi vendimin e drejtuesve për të ndërhyrë menjëherë në pankinë.
Në njoftimin zyrtar, klubi konfirmoi largimin e Coradit nga posti i trajnerit të ekipit të parë dhe e falënderoi për angazhimin e treguar gjatë periudhës së tij te blucerchiati. Po ashtu, mirënjohje iu shpreh edhe ndihmësit Massimo Muttarelli dhe bashkëpunëtorit teknik Stefano Fiore.
Sampdoria bëri të ditur se emri i trajnerit të ri dhe përbërja e stafit të tij do të zyrtarizohen në orët në vijim. Situata kërkon reagim të shpejtë, pasi skuadra ka hyrë në një krizë të thellë që në javët e para të kampionatit.
Për momentin, Marco Giampaolo konsiderohet favoriti kryesor për t’u rikthyer në stol. Nëse emërohet, ai do të nisë mandatin e tretë te Sampdoria, pasi e ka drejtuar klubin në Serie A nga viti 2016 deri në 2019, si edhe në një periudhë të dytë nga janari deri në tetor të vitit 2022.
Angazhimi i tij i fundit ishte te Cremonese, ku në mars zëvendësoi Davide Nicola. Ky i fundit, ndërkohë, mori javën e kaluar drejtimin e Venezia.