Alan Shearer ka hedhur në qarkullim një emër të ri për pankinën e Manchester United, duke vlerësuar se Fabian Hürzeler duhet të jetë lart në listën e klubit në rast se merret vendimi për ndërrim trajneri.
Presioni mbi Michael Carrick mbetet i lartë pas fillimit të dobët të sezonit. Sipas të dhënave të përmendura, United ka marrë vetëm dy fitore në 10 ndeshjet e para në të gjitha garat, ndërsa drejtuesit vazhdojnë ta mbështesin për momentin trajnerin. Megjithatë, një tjetër seri negative mund ta detyrojë INEOS ta rikthejë në tryezë këtë çështje.
Në anën tjetër, Hürzeler ka bindur me punën e tij te Brighton. Skuadra ndodhet në vendin e tretë në Premier League pas një starti shumë pozitiv dhe po shihet si një nga ekipet më interesante e më fleksibile taktikisht në kampionat.
Shearer ka deklaruar publikisht se trajneri gjerman do të ishte një zgjidhje e mirë për Manchester United nëse vjen ndarja me Carrick. Krahas tij, ai ka përmendur edhe Eddie Howe dhe Antonio Conte si alternativa të mundshme, duke theksuar se spekulime të tilla janë të zakonshme kur trajneri i United nuk po fiton.
Argumentet në favor të Hürzeler janë forcuar edhe më shumë pas fitores së thellë 5-0 të Brighton ndaj Crystal Palace. Brighton ka shënuar 23 gola në shtatë ndeshje kampionati dhe është ngjitur në zonën që të çon në Champions League.
Së fundmi, pronari i klubit, Tony Bloom, e lavdëroi Hürzeler edhe në momentin e rinovimit të kontratës deri në vitin 2029. Sipas tij, trajneri ka sjellë paraqitje të qëndrueshme dhe një identitet të qartë loje, ndërsa te skuadra dallohen rezistenca, intensiteti dhe kontrolli i ndeshjes. Pikërisht këto janë disa nga elementët që aktualisht i mungojnë Manchester United.
Profili i Hürzeler, i ndërtuar mbi presingun agresiv, përshtatshmërinë taktike dhe besimin te lojtarët e rinj, shihet si i përshtatshëm për një projekt afatgjatë si ai që ka paralajmëruar INEOS. Megjithatë, një sfidë e mundshme në Old Trafford do të ishte krejt tjetër nga ajo te Brighton, pasi te United presioni për rezultate, çështjet e brendshme dhe vëmendja e vazhdueshme nga jashtë janë në një nivel shumë më të lartë.