Përballja mes Lille dhe Galatasaray në Champions League do të zhvillohet me një mobilizim të pazakontë të forcave të sigurisë. Autoritetet franceze e kanë klasifikuar takimin si me rrezik të lartë, ndërsa klubi turk i ka kërkuar UEFA-s garanci për mbrojtjen e futbollistëve, stafit teknik dhe tifozëve të tij.
Ndeshja e xhiros së tretë është parashikuar të luhet të mërkurën në orën 19:45. Për mbarëvajtjen e saj pritet të angazhohen më shumë se 800 pjesëtarë të shërbimeve të sigurisë, dukshëm mbi nivelin e zakonshëm të takimeve të Ligue 1, ku numri zakonisht varion nga 450 deri në 700, sipas vlerësimit të rrezikut.
Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet tifozëve të Galatasaray, të cilët do të kenë në dispozicion rreth 2.100 vende. Biletat për sektorin mysafir duhet të sigurohen përmes klubit turk, në mënyrë që organizatorët të kontrollojnë më lehtë mbërritjen dhe sistemimin e tyre. Jashtë zonës së përcaktuar do të kufizohet mbajtja e fanellave, shalleve dhe simboleve të tjera të Galatasaray. Masat do të përfshijnë edhe mbështetësit pa biletë, për të shmangur grumbullimet jashtë hapësirës së caktuar.
Shqetësimet për sigurinë janë shtuar pas trazirave të fundjavës në Francë. Në Lille u grabit edhe dyqani zyrtar i klubit, nga ku u morën fanella, kompjuterë dhe një arkë fiskale. Megjithëse ky incident nuk lidhet drejtpërdrejt me ndeshjen ndaj Galatasaray, autoritetet kanë vendosur të forcojnë kontrollet.
Prania policore do të shtohet në qendër të qytetit dhe përreth stadiumit Pierre-Mauroy. Edhe Lille ka vendosur të rrisë numrin e punonjësve të sigurisë dhe të personelit përgjegjës për rendin në stadium, me synimin për të mbajtur nën kontroll hyrjet dhe për të ulur rrezikun e incidenteve të reja.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, ka deklaruar se shërbimet përgjegjëse do të marrin të gjitha masat e nevojshme për ta mbajtur situatën nën kontroll. Ai ka përjashtuar shtyrjen e takimeve Lille–Galatasaray dhe PSG–Barcelona, ndërsa programi i ndeshjeve evropiane të kësaj jave në Francë mbetet i pandryshuar. Organizatorët vlerësojnë se edhe orari i hershëm i sfidës në Lille mund të lehtësojë menaxhimin e lëvizjes së tifozëve.