Tottenham mori më në fund fitoren e parë të sezonit në Premier League dhe Omar Marmoush dëshiron që ky rezultat të shënojë nisjen e një ecurie tjetër. Skuadra e Roberto De Zerbi mundi 3-1 Coventry të hënën, në përpjekjen e shtatë për të siguruar tri pikët, duke u ngjitur në vendin e 16-të të renditjes.
Sulmuesi egjiptian realizoi golin e tij të parë me Tottenham, duke rikthyer avantazhin në 2-1 pasi Jack Rudoni kishte barazuar për miqtë. Në listën e shënuesve për londinezët u përfshinë edhe James Maddison dhe Ben Davies. Të tre golat e vendasve erdhën nga jashtë zonës së rreptësisë, një arritje që në Premier League nuk ishte regjistruar nga një skuadër që prej përballjes Fulham-Leicester në maj të vitit 2023. Tottenham e kishte bërë për herë të fundit në shtator 2022, gjithashtu kundër Leicester.
“Jemi shumë të lumtur. Gjatë javës së fundit kemi bërë paraqitje të mira, por na mungonte fitorja. Jam i kënaqur që më në fund fituam dhe që shënova golin tim të parë për Tottenham. Duhet të ndërtojmë mbi këtë rezultat”, u shpreh Marmoush. Ai theksoi se skuadra po mëson në çdo ndeshje dhe se loja e mirë në javët e para nuk ishte shoqëruar me rezultatet e dëshiruara: “Ky është vetëm fillimi”.
Goli solli edhe një statistikë të veçantë për egjiptianin: të 11 realizimet e tij në Premier League kanë ardhur në ndeshje shtëpiake. Dhjetë i kishte shënuar me Manchester City në Etihad, ndërsa të fundit me Tottenham. Askush në historinë e garës nuk ka shënuar më shumë gola pa realizuar asnjë në transfertë.
Marmoush vlerësoi edhe ndikimin e De Zerbi, duke veçuar energjinë, pasionin dhe vëmendjen e trajnerit ndaj detajeve. Sipas sulmuesit, italiani po i ndihmon lojtarët si në aspektin taktik, ashtu edhe në marrëdhëniet personale. “Besojmë te sistemi ynë i lojës. Në fushë jemi si një familje e madhe dhe do të luftojmë për njëri-tjetrin deri në fund”, deklaroi ai.
Megjithatë, shifrat tregojnë sa shumë punë mbetet përpara: kjo ishte vetëm fitorja e gjashtë e Tottenham në 37 ndeshjet e fundit në shtëpi në Premier League, krahas 10 barazimeve dhe 21 humbjeve. Ishte gjithashtu suksesi i katërt në 27 takime të kampionatit gjatë vitit 2026. Prova e radhës do të jetë derbi me Chelsea në Stamford Bridge të shtunën, ndërsa një javë më pas Tottenham do të presë Crystal Palace.