Marc Lopez do të jetë emri i ri në krye të Spanjës në Davis Cup. Ish-tenisti i njohur për sukseset në lojën dyshe do të marrë detyrën që deri më tani e ka mbajtur David Ferrer.
Kontrata e tij hyn në fuqi më 1 janar, ndërsa parashikohet që angazhimi në drejtimin e përfaqësueses të zgjasë deri në vitin 2029. Për Lopez, kjo do të jetë një përgjegjësi ndryshe nga puna individuale me tenistët.
Megjithatë, ambienti i përfaqësueses nuk është i panjohur për të. Lopez e njeh punën e të gjithë kandidatëve të mundshëm për të përfaqësuar Spanjën, çka i jep një bazë të rëndësishme për detyrën e re.
Një pjesë e rëndësishme e karrierës së tij lidhet me Rafael Nadal. Përveçse ka qenë anëtar i stafit të tij stërvitor dhe partner në stërvitje, Lopez ka edhe një miqësi të ngushtë me ish-kampionin spanjoll.
Edhe si lojtar, ai ka arritur suksese të mëdha në lojën dyshe. Në këtë disiplinë ka fituar Roland Garros dhe medaljen e artë olimpike në Rio de Janeiro.
Pas përvojës në stafin e Nadal, Lopez punoi me Jasmine Paolini dhe më pas me Marie Bouzkova. Tani, përvoja e mbledhur në këto bashkëpunime do t’i shërbejë në drejtimin e skuadrës spanjolle në Davis Cup.