Denver Nuggets mori një goditje të rëndë në ndeshjen parasezonale ndaj Los Angeles Clippers, pasi Julian Strawther u largua i dëmtuar nga parketi pas një situate që shkaktoi shqetësim të madh.
Incidenti ndodhi në periodën e tretë, kur basketbollisti i ri i Denverit u ul keq në tokë dhe këmba e majtë iu përdor në një pozicion të pakëndshëm poshtë trupit. Pamja ishte e rëndë dhe lojtari mbeti i shtrirë në parket, duke shfaqur dhimbje të forta.
Stafi mjekësor dhe fizioterapistët ndërhynë menjëherë për t’i dhënë ndihmën e parë, ndërsa u kuptua shpejt se bëhej fjalë për një dëmtim serioz. Më pas, Strawther u ndihmua të largohej nga fusha nga anëtarët e stafit të ekipit.
Shkalla e saktë e dëmtimit ende nuk është bërë e ditur. Më shumë detaje pritet të dalin pas rezonancës magnetike, e cila do të përcaktojë natyrën dhe rëndësinë e problemit fizik.
Ky dëmtim vjen në një moment kur Strawther po kalonte formë shumë të mirë në ndeshjet parasezonale. Në tri paraqitjet e para ai kishte mesatare prej 14 pikësh, ndërsa projekcioni i statistikave të tij në 36 minuta lojë shkonte në 27,5 pikë.
Edhe në takimin ndaj Clippers, përpara se të lëndohej, ai kishte dhënë sinjale pozitive me 11 pikë të shënuara, duke realizuar tri gjuajtje për tre pikë nga shtatë tentativa.