Alejandro Davidovich Fokina është kualifikuar në gjysmëfinalen e turneut Masters në Shanghai, pasi kundërshtari i tij Arthur Gea u detyrua të tërhiqej për shkak të një dëmtimi.
Ndeshja u ndërpre kur rezultati ishte 4:1 në favor të tenistit spanjoll. Gea, i cili nuk po arrinte më të lëvizte normalisht, vendosi t’i japë fund sfidës në momentin kur loja kishte shkuar në 30:0, duke i dhënë dorën kundërshtarit të zhgënjyer dukshëm.
Për Davidovich Fokina, kjo ishte një kualifikim i shpejtë drejt gjysmëfinales, që erdhi pas vetëm 24 minutash lojë. Njëkohësisht, ai regjistroi gjysmëfinalen e katërt në karrierë në turnetë e serisë 1000.
Me këtë rezultat, spanjolli rikthehet sërish në mesin e 20 tenistëve më të mirë në renditjen botërore. Po ashtu, ky është edhe paraqitja e tij më e mirë ndonjëherë në Shanghai, pasi deri tani maksimumi i tij kishte qenë raundi i tretë.
Në gjysmëfinale, Davidovich Fokina do të presë fituesin e përballjes mes Alexander Zverev dhe Alex De Minaur.
Deri më sot, tenisti spanjoll ka luajtur vetëm një finale në një turne Masters, atë në Monte Carlo katër vjet më parë, kur u mund nga Stefanos Tsitsipas në dy sete. Mbetet për t’u parë nëse këtë herë do të arrijë të shkojë një hap më tej dhe të sigurojë finalen.