Gara për drejtimin e Federatës Italiane të Futbollit mund të marrë një kthesë me përfshirjen e Adriano Gallianit. Drejtuesi me përvojë është kontaktuar nga disa klube të Serie A dhe, deri tani, nuk e ka përjashtuar mundësinë e kandidimit.
Mes klubeve të elitës italiane duket se është zbehur mbështetja pothuajse unanime që Giovanni Malagò gëzonte në prill. Pakënaqësia lidhet me bindjen se ato janë lënë jashtë vendimmarrjes për çështje të rëndësishme të futbollit italian.
Një nga vendimet e kundërshtuara është emërimi i Roberto Mancinit në stolin e Italisë, ndërsa shumë prej klubeve parapëlqenin Antonio Conten. Rezerva janë shprehur edhe për përzgjedhjen e kreut të delegacionit dhe emërimet në poste të tjera me peshë.
Në këtë klimë, Galliani shihet si një alternativë me përvojë të gjatë drejtuese. Gjatë 31 viteve te Milan ai fitoi 29 trofe, ndërsa më pas ishte pjesë e rrugëtimit që e çoi Monzën për herë të parë në Serie A. Klubet që e mbështesin shpresojnë të sigurojnë vota edhe nga përfaqësuesit e futbollistëve, trajnerëve dhe ligave më të ulëta.
Afati për paraqitjen e kandidaturave përfundon më 4 nëntor, ndërsa zgjedhjet janë planifikuar për 14 dhjetor. Serie A duhet të përcaktojë me shumicë se cilin kandidat do të mbështesë.
Malagò, nga ana tjetër, shfaqet i sigurt se shumica mbetet në krahun e tij. Ai pranon se ka kundërshtime nga figura me të kaluar të rëndësishme në sport, por beson se dialogu mund të sjellë unitet. “Po i telefonoj presidentët e Serie A një nga një. Kam biseduar tashmë me 13 prej tyre dhe të gjithë më kanë garantuar mbështetjen”, është shprehur ai.