Serbia do të duhet t’i përballojë pa Ivan Ilic dy ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve, kundër Gjermanisë dhe Greqisë. Mesfushori i Lecce ka pësuar një dëmtim që kërkon ndërhyrje kirurgjikale, duke ia pakësuar alternativat trajnerit Veljko Paunovic.
Problemi u shfaq gjatë takimit me Bologna, kur 25-vjeçari u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 36-të. Sipas njoftimit të Lecce, ekzaminimet e hollësishme konfirmuan një dëmtim në bashkimin muskulor-tendinoz të muskulit të drejtë të kofshës së majtë, të shoqëruar me dëmtim të pjesshëm të tendinit.
Operacioni është planifikuar për të martën në spitalin Pihlajalinna, në qytetin finlandez të Turkut. Ndërhyrjen do ta kryejë profesori Lasse Lempainen.
Kjo është një tjetër pengesë për Ilic, i cili kishte munguar për shkak dëmtimi edhe në periudhën e fundit të qëndrimit te Torino. Pas kalimit te Lecce, ai arriti shpejt të siguronte një vend në formacionin titullar, por tashmë duhet të ndërpresë sërish aktivizimin.
Mesfushori ka regjistruar pesë paraqitje me Lecce. Kontributi i tij më i spikatur erdhi në fitoren 3-2 ndaj Monza, ku dha dy asistime, përpara se dëmtimi i ri ta ndalte në një moment kur po fitonte peshë në skuadër.