Gara në krye të kampionatit skocez bëhet edhe më e ngushtë. Rangers fitoi bindshëm 4-0 ndaj St Johnstone në Ibrox, duke e çuar në shtatë numrin e fitoreve në tetë ndeshjet e fundit të kampionatit dhe duke iu afruar në vetëm një pikë Celtic.
Protagonist i suksesit ishte Kevin Kelsy, i cili e festoi rikthimin mes titullarëve me dy gola. Sulmuesi zhbllokoi rezultatin para pushimit, në përfundim të një aksioni të nisur nga Minsu Kim. Ky i fundit shërbeu për Ryan Naderi, që zgjodhi pasimin për partnerin e sulmit, duke i dhënë mundësinë të shënonte lehtësisht.
St Johnstone bëri tri zëvendësime në pushim dhe e nisi më mirë pjesën e dytë, por Rangers goditi sërish pikërisht gjatë atij momenti pozitiv të miqve. Portieri Toby Steward nuk arriti ta kontrollonte goditjen e Kim dhe Naderi përfitoi nga topi i kthyer për të dyfishuar epërsinë.
Kelsy mbylli çdo diskutim për fituesin me golin e tij të dytë. Pas një goditjeje me kokë të Emmanuel Fernandez, ai devijoi topin në rrjetë pranë shtyllës së largët. Më pas, i aktivizuari nga stoli Tochi Chukwuani shfrytëzoi një krosim të Djeidi Gassama për të vulosur rezultatin 4-0.
Me këtë fitore, Rangers shton presionin ndaj rivalit të kreut. Celtic, që ruan vetëm një pikë avantazh, do të luajë të dielën në transfertë kundër Hibernian në Edinburgh.