Arantxa Sanchez Vicario, dikur në majën e tenisit botëror, sot përshkruan një realitet krejt tjetër. Spanjollja 54-vjeçare thotë se ndihma financiare e miqve i mundëson të kujdeset për fëmijët, pavarësisht se gjatë karrierës fitoi rreth 17 milionë euro në fusha.
Vështirësitë e saj lidhen me një çështje gjyqësore ku u përfshi së bashku me ish-bashkëshortin, Josep Santacana, për shmangien e shlyerjes së një borxhi ndaj Bankës së Luksemburgut. Shuma që pretendohet se detyrohen të paguajnë arrin në 6,6 milionë euro, përfshirë interesat e lidhura me taksat e papaguara.
E përballur me rrezikun e një dënimi prej katër vjetësh burg, Sanchez Vicario mori dy vjet burg me kusht dhe një gjobë prej 8.640 eurosh. Gjatë shpalljes së vendimit, më 12 shtator 2023, ish-tenistja shpërtheu në lot para gjyqtarit.
Në dëshminë e saj para gjykatës në Barcelonë, ajo deklaroi se Santacana i administronte financat që prej vitit 2009. Sipas saj, mungesa e njohurive për menaxhimin e pasurive dhe kompanive e kishte shtyrë të ndiqte udhëzimet e tij. Ajo pretendoi se ishte manipuluar dhe se plani për shmangien e tatimit mbi të ardhurat ishte ndërmarrë me këmbënguljen e tij. Edhe kur kishte kërkuar të shlyente borxhin, sipas saj, ai e siguronte se gjithçka ishte zgjidhur.
Për të zbuluar se ku kishin përfunduar të ardhurat e karrierës, Sanchez Vicario iu drejtua edhe drejtësisë në Shtetet e Bashkuara. Ajo pretendon se ish-bashkëshorti shiti pasuritë e krijuara gjatë viteve të saj si profesioniste dhe i transferoi paratë atje.
Ish-tenistja pranoi se kishte gabuar në zgjedhjen e partnerit, por theksoi se nuk ka ndër mend të dorëzohet. Santacana, nga ana e tij, kundërshton versionin e saj dhe mban qëndrimin se ish-bashkëshortja nuk mund të përjashtohet nga përgjegjësia për çështjen financiare.