Mia Pohankova ka befasuar Naomi Osaka para publikut vendas në Tokio. Tenistja sllovake, vetëm 18 vjeçe dhe e renditur e 144-ta në botë, eliminoi kampionen japoneze të Grand Slam në raundin e dytë, duke fituar me rezultatin 6:3, 7:5.
Osaka, e shtata në listën e favoriteve të turneut, e nisi më mirë takimin dhe ishte e para që ia mori shërbimin kundërshtares. Megjithatë, avantazhi nuk zgjati: Pohankova reagoi shpejt dhe ndryshoi rrjedhën e setit hapës.
Në shtatë lojërat pasuese, japonezja fitoi vetëm një. Me një paraqitje gjithnjë e më të qëndrueshme në shërbim, sllovakja mori kontrollin dhe e mbylli setin e parë në favorin e saj.
Seti i dytë i dha Osakës disa mundësi për t’u rikthyer në ndeshje. Ajo e vuri në vështirësi kundërshtaren pothuajse sa herë që kjo shërbente, por nuk arriti t’i shfrytëzonte rastet për t’ia marrë shërbimin.
Momenti vendimtar erdhi në lojën e 12-të. Kur seti dukej se po shkonte drejt një tie-break-u, Pohankova shfrytëzoi mundësinë e saj të vetme për thyerje shërbimi në atë set dhe vulosi fitoren. Pas pak më shumë se një ore e gjysmë, 18-vjeçarja u largua nga fusha pa humbur asnjë set, ndërsa Osaka i dha fund para kohe rrugëtimit në Tokio.