Barazimi i siguruar në minutat e fundit ndaj Hearts nuk i ka zbutur shqetësimet e Kris Boyd për Rangers. Ish-sulmuesi i klubit e cilësoi pikën e marrë në Tynecastle si të pamerituar dhe vuri në dyshim aftësinë e skuadrës për të përballuar garën për titull.
“E vodhën një pikë. Duhet shumë më mirë, sidomos duke parë pjesën e dytë. Për të fituar kampionatin, duhet të kesh periudha gjatë ndeshjes kur e dikton ti lojën. Rangers nuk e ka këtë”, deklaroi Boyd. Sipas tij, goli i vonshëm nuk i fsheh mangësitë e shfaqura në fushë.
Takimi nisi me vërshëllima ndaj Derek McInnes, i cili u kthye për herë të parë në Tynecastle pas largimit drejt Ibrox në qershor. Megjithatë, Rangers kaloi i pari në avantazh: Kevin Kelsy shënoi në minutën e 16-të, duke përfituar nga një gabim i Laurent Mendy.
Hearts e përmbysi rezultatin në fillimin e pjesës së dytë me golat e Claudio Braga dhe Calvin Miller. Vendasit iu afruan fitores, por goditja me kokë e Olwethu Makhanya në minutën e 89-të vendosi barazimin përfundimtar 2-2. Rangers mbeti kështu katër pikë pas kryesuesit Celtic, që gjithashtu la pikë ndaj Dundee United.
Boyd u ndal veçanërisht te mënyra e ndërtimit të aksioneve. Ai vlerësoi se Rangers ka futbollistë të shpejtë, por nxiton në zgjedhje dhe nuk arrin ta çorganizojë kundërshtarin përmes pasimeve të lidhura. “Edhe kur je nën presion, duhet ta mbash topin dhe ta detyrosh kundërshtarin të vrapojë pas tij. Te Rangers gjithçka duket e shkëputur”, theksoi ai.
Kritika të veçanta pati edhe për Emmanuel Fernandez. Sipas Boyd, mbrojtësi u shfaq i pasigurt përballë sulmuesve të Hearts dhe, me lojën e tij, u krijoi vështirësi shtesë shokëve të skuadrës.
Ky barazim i dha fund serisë së Rangers prej nëntë fitoresh radhazi në kampionat. Në anën tjetër, Hearts e çoi në 26 numrin e ndeshjeve pa humbje në shtëpi.